Grupi më i vështirë i këtij Europiani nuk i dha Shqipërisë asnjë shans për të vazhduar më tej, pavarësisht performancës së mirë të treguar në të 3 ndeshjet. Kombëtarja u eliminua nga Europiani pas humbjes 1-0 me Spanjën dhe një loje emocionuese që u përcoll direkt nga Tv Klan.

Kuqezinjtë nuk u dorëzuan deri në fund, duke zhvilluar ndeshjen më të mirë të këtij turneu, por pa arritur të marrë pikë. Në Dyseldorf, ku nuk mungoi mbështetja e tifozerisë shqiptare, skuadra e Sylvinho ishte kërkuese edhe ndaj ekipit më të mirë të këtij Europiani, Spanjës, e fortë edhe me rezervat.

Shqipëria e nisi vrullshëm sfidën, duke ushtruar presion pranë zonës kundërshtare.

Por ishte Spanja që realizoi në minutën e 13’ me Ferran Torres, i cili shfrytëzoi pasimin e saktë të Dani Olmo. Spanjollët vijuan të rrezikonin portën shqiptare, por duke hasur pengesën e mbrojtjes dhe Strakoshës. Rasti i parë i rrezikshëm i Kuqezinjve u regjistrua në fundin e pjesës së parë ku goditja e Asllanit u ndal nga Raya.

Pas pushimit ishin spanjollët të cilët e nisën rrezikshëm, por Strakosha nuk u kap i papërgatitur. Përfshirja në lojë e Brojës në vend të Manajt rriti sulmet e Shqipërisë, duke iu afruar disa herë golit të barazimit. Loja e Kombëtares u bë akoma më imponuese kur në fushë hyri Arbër Hoxha, i cili vuri në vështirësi spanjollët.

Spanja nuk priti, por aktivizoi Morata e Yamal që sollën probleme në zonën shqiptare. Kuqezinjtë kundërshtuan edhe disa vendime të arbitri Nyberg, por pa arritur t’i kthejnë ato. Spanja kështu e mbyll në krye të Grupit B me pikë të plota, ndërsa Shqipëria e fundit me 1 pikë.

Kualifikimi nuk u arrit, por Kuqezinjtë u larguan me një opinion pozitiv në sytë e shikuesve të këtij Europiani në të gjithë botën, duke thyer një rekord në historinë e gjithë kampionateve, atë të shënimit të golit më të shpejtë, të Nedin Bajramit, në sekondën e 23 kundër kampiones në fuqi, Italisë.

Tv Klan