Xhaçka: 2 nisma, në krye të prioriteteve tona

Nga 1 Shtatori, Shqipëria do të marrë për një muaj, për të dytën herë drejtimin e Këshillit të Sigurimit. Gjatë presidencës 30 ditore qeveria shqiptare ka vendosur në krye të prioriteteve dy nisma, e para duket shumë ambicioze pasi parashikon përsosjen e mekanizimit të shpërndarjes së ndihmave humanitare të OKB. Por ministrja Xhaçka thotë se po punohet prej dy vitesh për ngritjen e një platforme inovative për të cilën kanë dhe bashkëpunime me disa korporata të mëdha amerikane.

“Një platformë bashkëpunimi që në njërën anë do të mundësojë që bizneset e mëdha dhe korporatat të ofrojnë kontributin e tyre qoftë financiar, qoftë në mallra apo shërbime në situata krizash humanitare, duke krijuar sinergji apo duke plotësuar mekanizmat ekzistues të ndihmës humanitare.”

Nisma e dytë që do të shënojë presidencën shqiptare është organizuar në bashkëpunim me SHBA, si bashkëpenëmbajtëse, është një debat i nivelit të lartë në Këshillin e Sigurimit që Tv Klan mëson se do të drejtohet nga vetë kryeministri Rama.

Presidenca shqiptare e Këshillit të Sigurimit përkon me javën e nivelit të lartë të Asamblesë parlamentare të Kombeve të Bashkuara, ku këtë vit Shqipëria do të përfaqësohet nga presidenti. Ndërsa kryeministri dhe ministrja e Jashtme do të jenë në të njëjtën periudhë në pallatin e qelqtë të OKB për të marrë pjesë në takimet e Këshillit të Sigurimit.

Tv Klan

/tvklan.al