Në Europë ekzistojnë ende vende të mrekullueshme, ku mund të shijohet vera pa zhurmën dhe mbipopullimin e zakonshëm të destinacioneve të njohura. Ndër to, Shqipëria spikat si një nga alternativat më tërheqëse në Mesdhe, me një vijë bregdetare që po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje ndërkombëtare. Kështu shkruan e përditshmja franceze “Ouest France”, ku Shqipëria është përfshirë në listën e destinacioneve evropiane të rekomanduara për pushime të qeta, krahas Portugalisë, Francës, Letonisë dhe Uellsit.
Riviera shqiptare është e para në lupën e gazetës franceze, e cila nënvizon se për një udhëtim buzë detit, ajo ofron një ndërthurje ideale mes deteve Adriatik dhe Jon. Falë plazheve me ujëra të kristalta dhe peizazheve natyrore ende të paprekura, Saranda, Ksamili dhe Himara duhen vizituar me patjetër. Gjithashtu, edhe kryeqyteti Tirana është një ndalesë e domosdoshme për çdo vizitor, pasi përfaqëson një përzierje të historisë dhe modernitetit, me arkitekturë të periudhave të ndryshme që pasqyrojnë zhvillimin e vendit.
E përditshmja franceze “Ouest France” rekomandon edhe Beratin, i njohur si “qyteti i një mbi një dritareve”, një nga perlat historike të vendit dhe pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.
Një tjetër destinacion që vlen për t’u vizituar nga të huajt është edhe Liqeni i Komanit, i vendosur mes maleve, që ofron peizazhe të jashtëzakonshme natyrore. I quajtur shpesh “Fjordet Shqiptare”, liqeni mund të eksplorohet më së miri përmes një lundrimi me varka.
Në përmbyllje të artikullit, e përditshmja franceze sugjeron Butrintin si një nga sitet më të rëndësishme arkeologjike në Shqipëri dhe pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 