Shqipëria do të marrë një financim prej 3 milionë dollarësh në formën e grantit për hartimin e një projekti të ri në sektorin e turizmit. Nisma synon zgjerimin e ofertës turistike dhe përfshirjen e më shumë zonave të vendit në itineraret e vizitorëve.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, njoftoi se financimi mbështetet nga Banka Botërore përmes BERZH dhe do të shërbejë për fazën përgatitore të projektit. Fondet do të përdoren për studime, planifikim dhe përcaktimin e investimeve që konsiderohen prioritare.

Sipas projektit, një nga objektivat kryesore është krijimi i një lidhjeje më të mirë mes zonave bregdetare dhe territoreve të brendshme të Shqipërisë. Në këtë mënyrë, destinacionet natyrore, historike dhe kulturore të qarqeve të ndryshme synohet të përfshihen në itinerare më të gjera turistike.

Nisma parashikon ndërhyrje edhe në infrastrukturë dhe shërbime, si dhe përmirësimin e mënyrës së administrimit të destinacioneve turistike. Një tjetër fokus do të jetë ruajtja dhe promovimi i trashëgimisë natyrore e kulturore.

Përmes zgjerimit të flukseve turistike drejt zonave jashtë destinacioneve tradicionale, projekti synon të krijojë më shumë mundësi ekonomike për bizneset lokale dhe të nxisë punësimin në komunitetet që përfshihen në këto itinerare.

/tvklan.al