Media e njohur franceze “Ouest France” e ka renditur Shqipërinë mes destinacioneve kryesore në Mesdhe për pushimet e përballueshme, duke e cilësuar atë si surprizën e re të turizmit ‘all inclusive’.

Në një artikull kushtuar udhëtimeve me kosto të ulët, Shqipëria radhitet krah emrave të njohur dhe zonave turistike si Tunizia, Greqia, Ishujt Kanarie, Bodrumi, Egjipti dhe Majorka.

Artikulli thekson se vendi ynë po tërheq gjithnjë e më shumë turistë francezë falë kombinimit të plazheve, klimës së ngrohtë, kuzhinës tradicionale dhe çmimeve mjaft konkurruese.

Si shembull konkret në artkull veçohet qyteti i Durrësit, ku ofertat për një javë qëndrimi “all inclusive” nisin nga 295 euro për person, duke përfshirë akomodimin, ushqim dhe shërbimet kryesore, apo deri në 400 euro për person në jug të vendit.

Përsa i përket periudhës së udhëtimit, artikulli rekomandon muajt nga qershori deri në shtator, kur kushtet janë më të përshtatshme për pushime në bregdet dhe temperaturat e deteve Adriatik dhe Jon janë të favorshme për turistët.

Shqipëria paraqitet si një destinacion ku turistët mund të kombinojnë pushimet në plazh, kuzhinën mesdhetare dhe një paketë të paracaktuar shpenzimesh, duke e bërë atë një alternativë ideale, për turistët që kërkojnë pushime me një buxhet jo shumë të lartë. 

Klan News

/tvklan.al