Një person, i cili pagoi një tjetër që të kalonte testet e teorisë dhe praktikës së makinës ka shmangur dënimin e menjëhershëm me burg për shkak se ato janë të mbushura. Vendimi i marrë në Britaninë e Madhe ka shkaktuar habi, ndërsa personazhi kryesor i kësaj historie është një 30-vjeçar shqiptar.
BBC shkruan se E. Aliaj mori patentën në Gusht të vitit 2022 pasi dikush tjetër, në emër të tij, bëri testimet. Aliaj pranoi tre akuza për mashtrim dhe u dënua me 8 muaj burg, por dënimi u pezullua për 18 muaj.
“Ti meriton të shkosh në burg”, i tha gjyqtari James House shqiptarit, por shtoi më tej se nuk mund ta bëjë këtë pasi “burgjet e Madhërisë së Tij janë të mbushura plot”.
“Aktori” i Aliajt mori testin teorik në Korrik dhe praktikën në 1 Gusht 2022.
“Rreziku i mundshëm ishte për përdoruesit e tjerë të rrugës nga një njeri që nuk ka kaluar testet përkatëse”, tha Silas Lee, prokuror.
Kur u mor në pyetje në fillim, Aliaj mohoi akuzat, madje deklaroi se ishte i vetmi i punësuar në shtëpi pasi bashkëshortja ishte shtatzënë dhe do të lindte pas dy javësh. Kur dha dënimin gjykatësi House i tha shqiptarit se mashtrimi i tij përbente rrezik për të tjerët.
“Të të dërgosh në burg do të të sjellë më shumë probleme se sa ia vlen, pavarësisht se e meriton”, i tha ai.
Përveç dënimit me burg, Aliaj është urdhëruar të kryejë 180 orë pune pa pagesë në komunitet./tvklan.al