Shtatë persona kanë humbur jetën dhe rreth 40 të tjerë janë plagosur, mes tyre edhe fëmijë, pas një sulmi në një treg në provincën Taiz të Jemenit.
Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Shëndetësisë, e kontrolluar nga rebelët Huthi, ndërsa pamjet e transmetuara nga televizioni Al Masirah tregojnë pasojat e goditjes.
Të plagosurit janë transportuar në spitalet e zonës, ku kanë marrë ndihmën e parë mjekësore.
Ndërkohë, sipas autoriteteve qeveritare të Jemenit, të cilët kanë publikuar një version tjetër të ngjarjes, thuhet se forcat e saj kanë goditur një kamp ushtarak dhe automjete të rebelëve Huthi në të njëjtën zonë.
Tre burime ushtarake për Reuters thanë se rebelët Huthi kishin ngritur kohët e fundit një kamp ushtarak pranë tregut.
Ushtria jemenase publikoi gjithashtu pamje që, sipas saj, tregojnë goditje ndaj pozicioneve të Huthive.
Presidenti iranian Masoud Pezeshkian, në një intervistë për Al Jazeera , deklaroi se vendet e rajonit duhet të jenë në gjendje të garantojnë sigurinë e tyre, duke kundërshtuar idenë e një fuqie të vetme që të luajë rolin e “xhandarit rajonal”.
Për situatën në Jemen, Pezeshkian tha se konflikti nuk lidhet drejtpërdrejt me Iranin.
“Ajo që ndodh në Jemen nuk ka të bëjë me ne. Kushdo që është i shtypur, kushdo që është dëbuar nga toka e tij ose është zhvendosur nga shtëpia e tij kudo në botë, nëse dikujt i bëhet padrejtësi, atëherë si myslimanë ne të paktën empatizojmë me ta. Nuk është rasti që ne po bëjmë diçka në Jemen. Sipas mendimit tonë, Jemeni dhe Arabia Saudite nuk duhet të luftojnë me njëri-tjetrin. Ata janë myslimanë, dhe kështu janë edhe sauditët. Ne duam që ata të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre, të ulen dhe të flasin, sepse janë vëllezër. Vëllezërit nuk duhet të luftojnë me njëri-tjetrin”, tha presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian.
Ndërkohë, tensionet në Lindjen e Mesme kanë ndikuar edhe në tregjet ndërkombëtare të energjisë.
Nafta Brent u rrit me më shumë se 3% të hënën, pasi Presidenti amerikan Donald Trump hodhi poshtë një marrëveshje të propozuar nga Irani për zgjidhjen e konfliktit dhe rihapjen e ngushticës së Hormuzit.
Kontratat e naftës Brent u rritën me 3 dollarë e 43 cent, ose 3.29 për qind, duke arritur në 107 dollarë e 75 cent për fuçi.
Ndërsa nafta amerikane u tregtua në 94 dollarë e 55 cent për fuçi, me një rritje prej 2.32 për qind.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
