Sanksionet e Shteteve të Bashkuara ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS), kompania më e madhe e naftës në vend (shumicën e aksioneve e ka Rusia), të cilat ishin planifikuar të hynin në fuqi më 1 tetor, janë shtyrë për të paktën 8 ditë. Kështu ka njoftuar presidenti serb Aleksandar Vuçiç sot, 28 shtator.
Vuçiç deklaroi në Obrenovac se ka zhvilluar bisedime me autoritetet amerikane, por nuk dha një datë të saktë për hyrjen në fuqi të masave.
“Ne biseduam me ta dhe sanksionet u shtynë për 8 ditë të tjera”, tha ai.
Sanksionet e SHBA-ve synojnë të detyrojnë aksionarët rusë të shesin aksionet e tyre në NIS.
NIS është kompania e vetme e rafinimit të naftës në Serbi dhe operon pothuajse tërësisht nën pronësinë e Gazpromit rus, i cili ka rreth 45% të aksioneve, ndërsa Republika e Serbisë zotëron afro 30%.
Sanksionet, të vendosura nga administrata Biden, synojnë të reduktojnë fitimet e Rusisë nga tregtia e naftës dhe gazit pas pushtimit të Ukrainës.
Serbia, megjithatë, ka mbajtur lidhje të ngushta me Moskën dhe ka refuzuar të imponojë sanksione, duke mbetur e varur nga gazi rus i furnizuar përmes NIS.
Një kontratë furnizimi midis Beogradit dhe Moskës, nënshkruar në pranverë të vitit 2022, u zgjat deri në fund të shtatorit, dhe bisedimet për një marrëveshje të re janë ende në proces.
Ekspertët paralajmërojnë se sanksionet mund të godasin rëndë ekonominë serbe, duke shkaktuar mungesa nafte dhe rritje të çmimeve. Vuçiç siguroi qytetarët se aktualisht nuk duhet të shqetësohen për furnizimet, por paralajmëroi se qeveria dhe NIS po përgatiten për të bërë oferta të reja në negociatat me amerikanët dhe palët e tjera.
/tvklan.al












Botërori 2026 
