Prokuroria për Krimet e Rënda, që po heton dosjen “Shullazi”, ka urdhëruar sekuestrimin e një numri të madh kamerash sigurie në Tiranë.

Të gjitha këto filmime janë dërguar në laboratorin e Policisë Shkencore, ku do të kqyren nga ekspertët. Kjo do të shërbejë për të identifikuar momentet, kur është kërcënuar rektori aktual i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, në rrugën “Fortuzi”, aty ku banon.

Nga ajo çfarë kanë parë prokurorët në këtë moment duken disa makina dhe profesor Koni. Por nuk dallohen personat e tjerë.

Për këtë është urdhëruar edhe sekuestrimi i kamerave të disa bizneseve private. Gjithashtu në laboratorin e policisë ndodhen dhe filmimet e disa kamerave pranë rektoratit në sheshin “Nënë Tereza”, aty ku u kërcënua ish -rektori.

Ndërkohë, një kamera në këtë zonë, e cila ka pasur pozicion të mirë me vendin ku është bërë kërcënimi nuk ka qenë funksionale.

Ekspertët do të krahasojnë automjetet në të dyja vendngjarjet, për të parë nëse janë të njëjtat automjete. Në të njëjtën kohë, hetuesit vazhdojnë veprimet për të dokumetuar akuzat e ngritura ndaj Emilajno Shullazit dhe bashkëpunëtorëve të tij, Gilmando Dani dhe Blerim Shullazi.

Do të deponojnë disa dhjetra persona në lidhje më këtë ngjarje, të gjitha ata që janë përmendur në përgjimet e SHISH.

Tv Klan