Fatime Fregjaj është 63 vjeç dhe në programin “Historia ime” në Tv Klan, ajo ka rrëfyer historinë e vështirë të jetës së saj, e cila nis që kur ishte ende një fëmijë. Fatime u rrit në një familje, ku babai e dhunonte vazhdimisht. Pa mbushur 16 vjeç, babai e marton pa dëshirën e saj në Kamëz. 

Ajo tregon se bashkëshorti ishte njeri i mirë dhe arritën të përshtateshin mjaft mirë me njëri-tjetrin. Por familja e tij e akuzoi se kishte vjedhur dy karamele dhe kërkuan që ajo të ndahej nga djali i tyre. Pavarësisht se iu drejtuan gjykatës për ndarje, të detyruar nga familja, e patën shumë të vështirë të realizonin divorcin sepse nuk kishte arsye për ndarjen e tyre.

E detyruar nga babai dhe e dhunuar prej tij në gjyqin e tretë të zhvilluar, Fatime divorcohet nga bashkëshorti.

Fatime: Pa u bërë 16 vjet më martoi babai në Kamëz.

Mirela Milori: Ti u pyete doje apo s’doje?

Fatime: Po hajde thuaj jo dhe ta merr mendja. Por megjithatë ishte njeri shumë i mirë, punonte shofer.

Mirela Milori: U martove me cermoni?

Fatime: Si derr në thes. Se erdhën ato ishin familje veteranësh, e mirë, u interesuan, e morën vesh që i kisha prindërit e ndarë dhe më morrën si derr në thes.

Mirela Milori: Sa jetove atje dhe si shkoi kjo martesë?

Fatime: Kam jetuar një vit e gjysmë martesë, por s’kisha fëmijë. Kemi shkuar shumë mirë, por s’kanë thënë kot që kur një çift shkon shumë mirë me njëri-tjetrin, o vdes njëri, o ndahen dhe ashtu më ndodhi dhe mua.

Mirela Milori: Çfarë ndodhi?

Fatime: Më blenë një orë të vogël vjehrra dhe do shkonim tek xhaxhallarët dhe kur lava sytë se kishin çezmën në oborr, ma mori çuni i xhaxhait të burrit.

Mirela Milori: Ta vodhi orën?

Fatime: Po dhe atëherë kujt ia dhe? Kujt ia bëre? Dhe plasi sherri. Më pas, ata kishin një dhomë të vogël dhe e mbanin me çelës, mbanin karamele për qerasje, që mos i hanin fëmijët ngaqë ishin të vegjël dhe më akuzuan se kisha vjedhur 2 karamele dhe ky ishte shkaku i ndarjes.

Mirela Milori: Çfarë ndodhi?

Fatime: U bë gjyqi në Pallatin e Kulturës.

Mirela Milori: Gjyq për çfarë për t’u ndarë apo?

Fatime: Jo nuk na ndanë.

Mirela Milori: Po çfarë?

Fatime: Për t’u pajtuar, sepse gjykata s’donte të na ndante se s’kishte arsye. U mbyll dhe u hap gjyqi tjetër.

Mirela Milori: Ju të dy donit të ndaheshit apo jo?

Fatime: Ne s’donim të ndaheshim, por ishim të detyruar nga familjet. Erdhi edhe babai im më theri me thikë, e kam shenjën këtu.

Mirela Milori: Si u ndatë pastaj?

Fatime: U bë padia e tretë dhe atëherë vendosa, se më mori babai në shtëpi, më lidhi këmbët dhe duart që mos kthehesha më këtu, se ne shkonim mirë me njëri-tjetrin.

Mirela Milori: Dhe u ndave përfundimisht?

Fatime: Po u ndava, se më mbajti babai lidhur në shtëpi./tvklan.al