Banka Botërore vlerëson se teksa Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor po përgatiten për anëtarësimin në Bashkimin Europian, një sistem pagesash më i lirë dhe më i sigurt do të kontribuonte në një zhvillim të mëtejshëm të ekonomisë.
“Teksa Ballkani Perëndimor përgatitet për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, rajoni përballet gjithashtu me presionin e plakjes së fuqisë punëtore dhe emigracionit të vazhdueshëm. Një sistem pagesash më i lirë dhe më i shpejtë mund t’i ndihmojë bizneset të investojnë, të zgjerohen dhe të krijojnë vende pune më produktive dhe me paga më të larta. Në të gjithë Ballkanin Perëndimor, bankat qendrore po forcojnë qeverisjen, monitorimin e mashtrimeve në kohë reale, mbrojtjen e konsumatorëve dhe qëndrueshmërinë operacionale, ndërsa këto sisteme po vihen në funksion”, tha drejtorja për Ballkanin Perëndimor të Bankës Botërore, Xiaoqing Yu.
Ndërsa sipas anëtarit të Bordit Ekzekutiv të Bankës Qendrore Evropiane, rajoni dhe Shqipëria kanë bërë dhe vijojnë të përshpejtojnë hapat pozitiv në sistemin e pagesave që nga “SEPA” e deri tek eurosistemi “TIPS”.
“Edhe vendet e Ballkanit Perëndimor po ndërmarrin hapa aktivë në politikat e tyre për të përmirësuar dhe integruar pagesat në rajon. Disa vende, përfshirë Shqipërinë, tashmë janë anëtarësuar në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro “SEPA”. Gjithashtu, një kopje e sistemit të pagesave të shpejta të Eurosistemit “TIPS” e zhvilluar nga Banca d’Italia, është tashmë plotësisht funksional në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në Mal të Zi, ndërsa së shpejti do të lançohet në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut”, tha Piero Cipollone e bordit ekzekutiv të Bankës Qendrore Europiane.
Ndër të tjera gjatë konferencës së 8-të Ndërkombëtare të Skemave Rajonale të pagesave në fokus ishin edhe remitancat, ku ulja e kostove në objektivin prej 3% do t’u kursente familjeve të emigrantëve deri në gjysmë miliardë dollarë në vit.
/tvklan.al












Botërori 2026 
