Projektbuxheti për vitin 2027 parashikon shpenzime në vlerën 976.1 miliardë lekë, rreth 700 milionë euro më shumë se plani i rishikuar për vitin 2026.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, prezantoi të ardhurat dhe shpenzimet e parashikuara për vitin e ardhshëm në Komisionin e Ekonomisë, Punësimit dhe Financave, duke bërë të ditur se të ardhurat buxhetore pritet të arrijnë në 907.9 miliardë lekë, ose 30.9% të Produktit të Brendshëm Bruto. Sipas tij, rritja e të ardhurave do të mbështetet te përmirësimi i administrimit fiskal, ulja e informalitetit dhe zgjerimi i aktivitetit ekonomik.
Një nga zërat kryesorë të projektbuxhetit është mbështetja për pensionistët. Për vitin 2027 janë parashikuar 20 miliardë lekë për bonusin mujor të pensionistëve, ndërsa rreth 4 miliardë lekë të tjera do të përdoren për indeksimin dhe politikat e reja të pensioneve. Në fund të vitit të ardhshëm, numri i pensionistëve në të gjitha kategoritë parashikohet të arrijë në rreth 805 mijë persona.
Ndërkohë, për ndihmën ekonomike dhe pagesat për personat me aftësi të kufizuara janë planifikuar 27.2 miliardë lekë. Projektbuxheti parashikon gjithashtu nisjen e skemës së rishikuar të bonusit të bebes, me pagesa mujore për fëmijët nga lindja deri në moshën 5 vjeç.
Në sektorin e shëndetësisë janë parashikuar 70.8 miliardë lekë, me fokus te shërbimi spitalor, rimbursimi i barnave për rreth 400 mijë pacientë dhe trajtimet për sëmundjet kardiovaskulare e onkologjike. Ndërsa për investimet publike është planifikuar një fond prej 200.3 miliardë lekësh, ose 6.9% e PBB-së. Një pjesë e konsiderueshme e këtij financimi do të shkojë për projektet e infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore, përfshirë zgjerimin e autostradës Tiranë-Durrës, rrugën Elbasan-Lekaj dhe hekurudhën Tiranë-Rinas-Durrës. Në arsim parashikohen investime për ndërtimin dhe rikonstruksionin e shkollave, tekstet falas për rreth 215 mijë nxënës dhe transporti falas për 38 mijë nxënës.
Sa i përket të ardhurave, tatimet dhe doganat pritet të sigurojnë 583.5 miliardë lekë, ndërsa të ardhurat nga kontributet shoqërore dhe shëndetësore parashikohen në 210.3 miliardë lekë. Një ndryshim i rëndësishëm fiskal është ulja e kufirit minimal të regjistrimit për TVSH-në nga 10 milionë në 5 milionë lekë, duke filluar nga 1 janari 2027.
Gjithashtu, parashikohet rritje e të ardhurave nga akcizat, kryesisht si pasojë e zbatimit të kalendarit të rritjes së akcizës së duhanit. Projektbuxheti përfshin edhe 3.7 miliardë lekë për politika të reja pagash, ndërsa efektivët e Policisë së Shtetit do të mbështeten me 3.3 miliardë lekë për rritjen e pagave. Sipas ministrit Malaj, buxheti synon të ruajë ekuilibrat fiskalë, të mbështesë sektorët prioritarë dhe të vijojë uljen graduale të borxhit publik.
/tvklan.al












Botërori 2026 
