Ish-Presidenti: Presidenca po mbron institucionet

Ilir Meta e priti në hyrje dhe e përcolli në dalje personalisht ish-Presidentin Sali Berisha, pasi diskutuan për 30 minuta për situatën e krijuar me emërimet e reja në Gjykatën Kushtetuese.

Po për 30 minuta, ish-Presidenti Berisha u shpjegoi gazetarëve përse kreu i shtetit po vepron në mbrojtje të Gjykatës Kushtetuese, që sipas tij maxhornca po tenton ta kapë me çdo kusht.

I jep të drejtë Metës dhe për sulmin ndaj Dvoranit dhe nuk kursen po si ai akuzat për kreun e KED, që sipas ish-Presidentit, në mungesë të plotë të transparencës dhe në shkelje të kompetencave, e vendosi Presidentin në vështirësi zgjedhjeje për plotësimin e vakancave.

Berisha zbulon se formula kushtetuese për përbërjen e kësaj gjykate është propozuar nga ai vetë për të ruajtur paanshmërinë. Ish-Presidenti vlerësoi të gabuar edhe noterizimin e betimit të Arta Vorpsit dhe për të treguar rëndësinë e betimit, ai risolli në kujtesë betimin e ish-Presidentit Obama.

Por ndërsa i jep të drejtë Metës për çdo hap të hedhur për plotësimin e vakancave në Kushtetuese, thotë se do të vepronte ndryshe nga ai, nëse do të ishte President dhe nuk do të nguronte për të shpërndarë parlamentin aktual.

Pasdite, kreu i shtetit do të presë në një takim edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, të përfshirë në hartimin e Reformës në Drejtësi, ndërsa të martën ai takoi krerët e partive opozitare që kanë djegur mandatet dhe ish-Presidentin Rexhep Meidani.

Tv Klan