Sjellja arrogante e sekretares së shkollës, gris dëftesën para gazetares së Stop


Sjellja arrogante e sekretares së shkollës, gris dëftesën para gazetares së Stop

21:12 14/01/2020

Shkolla private “Ekonomisti” nuk i jep diplomën nxënësit

Sorollatja për një diplomë dhe arroganca e sekretares së institucionit arsimor, për pak i kushtoi shkollën një të riu në Tiranë. Kjo është problematika që ka trajtuar sonte emisioni “Stop” në Tv Klan. Bëhet fjalë për shkollën jopublike “Ekonomisti”. Nxënësi i kësaj shkolle, Richard Zvonicek ka përfunduar vitin e parë dhe dëshiron të largohet nga kjo shkollë për shkak të pamundësisë ekonomike, dhe të vazhdojë arsimimin në një shkollë shtetërore.

Mamaja e tij, znj.Aida Lubonja tregon peripecitë për të marrë një diplomë nga kjo shkollë jopublike, në mënyrë që djalin ta regjistrojë në një shkollë tjetër. Pas shumë sorollatjeve, i japin një diplomë me disa mangësi, që nga mbiemri i djalit dhe pa firmën e drejtoreshës. Në shkollën pritëse i thanë të merrte një diplomë të dytë, por edhe e dyta pa datë dhe pa atësi. E njëjta gjë edhe herën e tretë. Shkelja më e madhe ishte një vërtetim fals nga Shtatori deri më 13 Nëntor, sikur djali ishte paraqitur në shkollë. Vetë 19-vjeçari Richard Zvonicek kërkon të shkojë në shkollë e të arsimohet si bashkëmoshatarët.

Aida Lubonja: Jam mamaja e djalit Richard. Fëmija është autik. Ka ndjekur vitin e parë shkollor, pra klasën e 10 të shkolla jopublike Ekonomisti dhe ka mbaruar me rezultate mesatarisht të mira. Kemi paguar gjithë vitin shkollor 1.8 milionë Lekë të vjetra. Duam të zhvendosemi për një shkollë tjetër 3-vjeçare të përgjithshme shtetërore sepse nuk kemi mundësi të përballjmë financiarisht shkollën private. Për këtë i jam lutur shkollës që të më japin dëftesën në mënyrë që të regjistrohesha tek shkolla tjetër. Më thonë nuk është drejtoresha, është jashtë shtetit, hajde më vonë. Pastaj më thonë do flasim dhe njëherë. Pas një jave i them aman dëftesën sepse është afati i fundit. Më japin dëftesën, kur shikoj dëftesa është me korrigjime, me gabime, pa firmën e drejtoreshës. Menjëherë shokohem. Shkoj sërish të më japin një dëftesë tjetër. Dhe kjo prapë është pa atësi. Prapë dhe kjo jo korrekte, dëftesë e pavlefshme që nuk mund të regjistrohem në asnjë shkollë. Shkoj sërish. Prapë më japin një document tjetër, edhe ky është pa firmën e drejtorit. Një marrje peng administrative nga shkolla jopublike Ekonomisti. Shkelja më e rëndë është që pas 1 muaj e gjysmë sorollatje, më japin një dokument në të cilin tregohet sikur djali im paska ndjekur dy muaj shkollë dhe më thonë s’të duhet dëftesa, ke këtë komentin këtu. Unë kam 1 muaj e gjysmë më ngeli djali pa arsim.

Richard Zvonicek: Unë kërkoj një dëftesë të saktë që i plotëson të gjitha kushtet dhe normat sipas rregullave për pranimin, sepse dëshira ime është të arsimohem si gjithë të tjerët pa asnjë pengesë.

Për të vërtetuar me prova sorollatjet në shkollën jopublike “Ekonomisti”, znj.Aida Lubonja shkoi sërish dhe u përball me sekretaren e shkollës. Kjo e fundit nuk pranonte të lëshonte asnjë diplomë tjetër dhe i kërkoi Aida Lubonjës të dilte jashtë.

Biseda e qytetares me Sekretaren:

Qytetarja:Të lutem! Aman të keqen, atë dëftesën moj! Është e pavlefshme.

Sekretarja: Kush është me korrigjime moj?

Qytetarja: Njëra është me 10 gabime e korrigjime.

Sekretarja: Nxirri ku i ke? Nxirri ku i ke?

Qytetarja: T’i kam treguar 100 herë.Pse mos marr dot dëftesën, të iki në një shkollë tjetër?

Sekretarja: Po ik, moj goce…

Sekretarja: Futu në zyrë! Dëftesën e more nga e para. Të firmosur, të vulosur, vërtetim notash nga shtatori edhe deri në nëntor…

Qytetarja: Vërtetimi është fallco, sepse ne s’kemi qenë në shkollë! Është budallallëk tani.Tjetër gjë se…

Sekretarja: Mirë.Ka mundësi të dalësh? Ka mundësi të dalësh? Ka mundësi?

Qytetarja: Po pse? Për një firmë?

Sekretarja: Ka mundësi? Dil përjashta! Ka mundësi të dalësh përjashta?

Qytetarja: Pse nuk ishte dëftesa gati, më 10 tetor? Pse më 30 tetor, më jep dëftesë me korrigjime?

Sekretarja: Sepse nuk ka vetëm një Richard kjo Republikë. Ka shumë të tjerë, dhe unë merrem me shumë të tjerë. Ka mundësi të largohesh?

Qytetarja: Më 10 tetor, duhen të jenë dëftesat gati.

Sekretarja: Ka mundësi të dalësh?

Qytetarja: Ku të shkoj unë?

Sekretarja: Ku të duash, ku të duash, ku të duash, ku të duash shko! Ku të duash!

Qytetarja: Pse më mbani “peng”, ju lutem! Pse më mbani “peng”, fëmijën?

Sekretarja: Shiko! Unë dëftesën tjetër nuk ta bëj dot më, se e kam lëshuar një dëftesë me firmë dhe me vulë. Nuk ta bëj dot më, hidhu përpjetë! Nuk të bëj dot më! Nuk të jap më shpjegime! Nuk të jap më shpjegime! Fol me veten!

Qytetarja: Pse më jep dëftesë me 10 korrigjime? Pse më jep dëftesë tjetër prapë, me gabime dhe pa atësi? Pse nuk më jep dëftesën e plotë?

Sekretarja: Vazhdo!

Qytetarja: Të vitit, që mbaron?

Richardi: Na shkatërruat! Ngela pa arsimuar!

Qytetarja: Të lutem moj Entela, po është fëmijë me autizëm moj! Nuk të vjen keq? Nuk të vjen keq, që po vuan?

Sekretarja: Ka mundësi, dil përjashta!

Richardi: Çfarë kemi shkaktuar?

Qytetarja: Të lutemi përditë e përditë, por është gjynah moj! Po pse më jep 3 dëftesa mua javë për javë?

Sekretarja: Një, një, njëzet dëftesa do të jap!

Më pas, shkoi në takim me sekretaren vetë gazetarja e emisionit “Stop”. Aty hasi në arrogancën e Sekretares së shkollës jopublike “Ekonomisti”. Sekretarja i rrëmbeu nga dora dëftesën gazetares dhe e grisi.

Biseda e gazetares me sekretaren:

Sekretarja: Po!

Sekretarja: Ka mundësi të…?

Sekretarja: Urdhëro brenda!

Sekretarja: Më fal, më fal!

Gazetarja: Sergei(operatori), më prit aty! Kjo dëftesa është me korrigjime këtu,tek mbiemri dhe nuk pranohet nga Ministria.

Sekretarja: Kjo, kjo nuk është dëftesë e kësaj shkolle!

Gazetarja: Si nuk është dëftesë e kësaj shkolle?

Sekretarja: Kjo është fotokopje.

Gazetarja: Të lutem mos e prek! Po për cfarë po e gris? Uaaa, Sergei, Sergei….

Pas incidentit me sekretaren, gazetarja e “Stop” bisedoi në telefon me drejtoreshën e shkollës jopublike, znj.Ilirjana Sykja. Kjo e fundit kërkoi të pinte një kafe me gazetaren pa praninë e kamerave, kërkesë që u refuzua.

Drejtoresha Ilirjana Sykja: Unë jam këtu tek Qendra “Turdiu’, këtu tek kati i II-të është një kafeteri. Po të pres këtu…Unë do ballafaqohem me ty, që të të sqaroj ty! Po jo të lutem me kamera!

Për këtë problematikë, emisioni “Stop” vuri në dijeni Drejtorinë Arsimore Rajonale Tiranë dhe specialistja e këtij institcioni i kërkoi zyrtarisht shkollës jopublike “Ekonomisti” që t’i dorëzojë zonjës diplomën e saktë.

Specialistja e Drejtorisë Arsimore Rajonale Tiranë: Është dërguar urgjent shkresa dhe i kemi bërë të qartë që ka një detyrim të japë dokumentacion të rregullt. Çdo institucion që bën një veprim të tillë, mban përgjegjësi vetë.

Pas këtij momenti, për shkollën jopublike “Ekonomisti” u ngrit një grup inspektimi, që po verifikon situatën për shkeljet e raportuara.

Me ndërhyrjen e emisionit “Stop” u bë e mundur edhe zgjidhja e këtij rasti. Edhe pse kaluan disa muaj nga afati për regjistrimin në shkollë, nxënësit Richard Zvonicek iu mundësua regjistrimi në një shkollë tjetër ekuivalte profesionale shtetërore. /tvklan.al




Të ngjashme