Byroja Kombëtare Kundër Korrupsionit e Ukrainës njoftoi se ka nisur një operacion që lidhet me një organizatë të dyshuar kriminale, në të cilën përfshihen deputetë aktualë e të mëparshëm, si dhe zyrtarë të lartë të administratës presidenciale, shkruan Euronews.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, shkarkoi të mërkurën zëvendëskreun e zyrës presidenciale, Iryna Mudra siç njoftoi vetë zyra e tij pikërisht në ditën kur hetuesit kundër korrupsionit nisën një operacion të gjerë që kishte në shënjestër një organizatë të dyshuar kriminale, në të cilën përfshiheshin politikanë dhe zyrtarë të lartë qeveritarë.
Mediat ukrainase raportuan se Byroja Kombëtare Kundër Korrupsionit (NABU) kishte kontrolluar ambiente të lidhura me Mudrën dhe deputetin Vadym Stolar.
NABU dhe Prokuroria e Specializuar Kundër Korrupsionit (SAPO) njoftuan se po zhvillonin një operacion për të zbuluar atë që e përshkruan si një “organizatë kriminale që vepronte nën drejtimin e një deputeti aktual dhe një ish-deputeti ukrainas, dhe në të cilën përfshiheshin zyrtarë të lartë të zyrës presidenciale” e të tjerë.
Fillimisht, agjencitë nuk i identifikuan personat e përfshirë dhe as nuk i parashtruan akuzat ndaj tyre, duke thënë se detaje të mëtejshme do të bëheshin të ditura më vonë.
Hetimi, i koduar “Forest Gump”, është më i fundit në një seri hetimesh të profilit të lartë për korrupsion që përfshijnë administratën e Zelenskit.
Mudra është përgjegjëse për çështjet ligjore dhe reformën në drejtësi në zyrën presidenciale. Më parë, ajo ka shërbyer si zëvendësministre e Drejtësisë.
Stolar u zgjodh në parlament si anëtar i partisë pro-ruse “Platforma e Opozitës – Për Jetën”, e cila u ndalua pas pushtimit rus në shkallë të plotë në vitin 2022.
Aktualisht, ai bën pjesë në grupin parlamentar “Rimëkëmbja e Ukrainës”, i formuar kryesisht nga ish-anëtarë të partisë së ndaluar.
NABU ka publikuar fragmente nga biseda të përgjuara në kuadër të operacionit, por nuk i ka identifikuar publikisht personat që flasin.
Regjistrimet duket se përfshijnë diskutime mbi regjistrimin e pasurive në emër të fëmijëve, si dhe referenca ndaj zyrës së presidentit.
Operacioni zhvillohet në një kohë kur NABU dhe SAPO po kryejnë një sërë hetimesh lidhur me dyshimet për korrupsion në nivelet më të larta të politikës ukrainase.
/tvklan.al












Botërori 2026 
