Një skandal që lidhet me arbitrimin ka tronditur futbollin italian. Në qendër të akuzave është dizenjatori i gjyqtarëve të Serisë A dhe Serisë B, Gianluca Rocchi, për të cilin ka nisur një hetim për mashtrim sportiv nga Prokuroria e Milanos.

Zanafilla e hetimit lidhet me një letër denoncuese që ka bërë ish-asistenti Domenico Rocca, ku ka raportuar anomali në sistemin e arbitrimit. Dyshimet më të mëdha janë për disa ndeshje të sezonit 2024-2025, ku sipas agjencisë së lajmeve AGI, Gianluca Rocchi ka vendosur dy herë arbitrin kryesor të ndeshjeve me pëlqimin e drejtuesve të Interit.

Andrea Colombo për sfidën Bologna-Inter të fituar nga vendasit 1-0 dhe Daniele Doveri për gjysmëfinalen e Kupës së Italisë kundër Milanit të fituar nga kuqezinjtë 3-0.

Hetimi gjithashtu përfshin edhe ndeshje dhe episode të tjera, ku më flagranti lidhet me sfidën Udinese-Parma. Arbitri i përzgjedhur për VAR-in ishte Daniele Paterna dhe komunikon me atë të fushës gjatë rishikimit të një rasti duke i thënë që nuk është penallti.

Por nga një video e publikuar, arbitri kthehet dhe flet me një tjetër person që dyshohet se trokiti në xhamin e sallës VAR për t’i tërhequr vëmendjen. Mediat raportojnë se Rocchi i ka thënë se është penallti dhe në atë moment ndryshon vendimin për të akorduar 11-metërsh.

52-vjeçari nga Firence ka dhënë dorëheqjen nga posti i dizenjatorit të arbitrave në Itali, por ka mohuar çdo akuzë dhe ka thënë se është i pafajshëm. Nga ana tjetër skuadra e Interit ka vendosur të mos reagojë në lidhje me këtë çështje, pasi asnjë nga zyrtarët apo vetë klubi nuk është nën hetim.

Tv Klan

/tvklan.al