Në atentat morën pjesë tre persona

Një ditë pas ekzekutimit të vëllezërve Viktor dhe Besmir Haxhia, grupi i eksperteve të policisë kriminale u kthye sërish në vendin e atentatit, në rrugën e tregut të makinave, në Shënavlash të Durrësit.

Qëllimi ishte që me provat dhe dëshmitë e mbledhura, të rindërtohet skena e krimit. Janë marre po ashtu disa dëshmi të reja. Çdo e dhënë, e siguruar deri tani, flet për një atentat të mirëorganizuar. Televizioni Klan mësoi nga burime të policisë se në vrasje morën pjesë 3 persona.

Dy prej tyre qëlluan me breshëri armesh ndaj vëllezërve Haxhia, ndërsa i treti është drejtuesi i automjetit me të cilin vrasësit u larguan nga vendi i ngjarjes. Kjo është skena e ndërtuar në 3D, bazuar në të dhënat e mbledhura nga grupi hetimor.

Hetuesit kanë siguruar filmimet e kamerave të sigurisë së një biznesi disa metra më tej. Aty duket një automjet tip Toyota gri pa targa që dyshohet të jetë përdorur nga vrasësit.

Dy vëllezërit nuk kanë precedentë penalë në vendin tonë. Por 36-vjeçari Besmir Haxhia i njohur me nofkën “Miri i Kolës”, rezulton e dënuar me disa vite burg për trafik droge në Holandë.

Vëllai tjetër, Viktori, ishte avokat prej 3 vitesh. Ata kishin në pronësi disa biznese, makina me qira, shërbim karotreci, lavazh dhe një pikë exchange.

Si pista për zbardhjen e ngjarjes, policia po heton të shkuarën e 36–vjecarit, por edhe nëse dy vëllezërit mund të kenë pasur konflikte që lidhen me biznesin e tyre.

Tv Klan