Shqipëria numëron 185 mijë të papunë, apo e thënë ndryshe shkalla e papunësisë në vend qëndron 13.5%. Ky nivel është edhe më i lartë për grupmoshat deri në 30-vjeç. Në këtë përfundim ka dalë Instituti i Statistikës gjatë anketës së parë specifike të ndërmarrë për vrojtimin e forcave të punës.

Ines Nurja: “Ky anketë është financuar nga qeveria shqiptare, do të fillojë për 3 vjet rresht pra 2007, 2008, 2009, me qëllim të ndërtohet një panoramë sa më e qartë mbi forcat e punës dhe dinamikën e saj. INSTAT, duke parë të nevojshme që të dhënat mbi punësimin dhe papunësinë në vend nuk ishin të matura sipas standardeve që kërkonte Eurostati, ndërmori këtë anketë”.

Ndërsa niveli i punësimit për popullsinë në moshën 15 deri në 64-vjeç sipas anketës, rezulton të jetë 56.4%. Në sektorin e bujqësisë janë të punësuar gati gjysma e totalit të të punësuarve. Në këtë sektor ndryshe nga kategoritë e tjera konstatohet një pjesëmarrje më e madhe e femrave. Sektori shtetërorë ofron punësim për 15% të totalit, ndërsa pjesa tjetër prej 38% i takon sektorit privat. Sipas anketës për të gjetur punë 4 në 5 shqiptarë u drejtohet miqve dhe të afërmve./tvklan.al

Gazetari: Fjorald Zguro