Këtë të martë mbushen plot 4 vite nga nisja e luftës ruse në Ukrainë, një konflikt që lëkundi themelet e stabilitetit global. Në kryeqytetin Kiev, dhjetëra banorë dhe ushtarë u ndalën në heshtje për të nderuar qindra mijëra të rënët. Mes lotësh dhe thirrjeve “Lavdi heronjve”, ata kujtuan tmerrin që nisi në shkurtin e vitit 2022.

“Sot shënohen saktësisht katër vite që kur Putini nisi sulmin treditor për të marrë Kievin. Ai nuk ia doli, nuk i theu dot ukrainasit dhe nuk e fitoi këtë luftë. Ne e kemi mbrojtur pavarësinë tonë dhe do të bëjmë gjithçka për të siguruar paqen dhe drejtësinë”, tha Zelensky.

Për të nderuar këtë përvjetor, liderët e BE-së, Ursula von der Leyen, Antonio Costa dhe Alexander Stubb vizituan Kievin, duke u vendosur pranë çiftit presidencial Zelensky. Nga Brukseli, edhe kreu i NATO-s, Mark Rutte, vlerësoi rezistencën e pathyeshme të Ukrainës, duke garantuar se aleanca nuk do ta ndalë kurrë mbështetjen për vendin.

Megjithatë, mes qytetarëve mbizotëron lodhja. Një banore e Kievit shprehet se priste në fillim që lufta të mos zgjaste më tepër se vjeshta e vitit 2022.

Sot, pas 4 viteve dhe me premtimet e Donald Trump për një fund të shpejtë që ende nuk po duket, ukrainasit nuk besojnë më në një paqe të afërt.

Tv Klan

/tvklan.al