55 vite burg në total ka dhënë Gjykata e Tiranës për 4 të rinjtë, të cilët në Korrik të vitit 2017 vranë 22-vjeçarin Marvi Mihali. Me 19 vite burg gjykata dënoi Dejvi Bitrajn, personi i cili e goditi për vdekje të riun Mihali, ndërsa për kushëririn e tij Eugen Bitraj dha 12 vite burg.

Edhe për dy vëllezërit Kridens dhe Marsel Alla gjykata dha gjithashtu 12 vjet heqje lirie. Këta të fundit u dënuan në mungesë, pasi ndodhen ende në kërkim dhe nuk janë arrestuar nga policia.

Gjykata e Tiranës vendosi të rikualifikojë veprën penale nga vrasje me paramendim, në vrasje me dashje.

Prokuroria kishte kërkuar në total 87 vjet për 4 të rinjtë.

Vendimi i kësaj të enjteje nga Gjykata e Tiranës solli reagimin e ashpër të prindërve të viktimës. Duke mallkuar gjykatësit, ata u shprehën se nuk do t’i ndahen drejtësisë sa të kenë jetë.

“S’kam kërkuar asgjë, vetëm drejtësinë, të cilën kam thënë që do ta vendos me çdo kusht. Sot djalit tim i ka lëvizur pllaka e mermerit sipër varrit. Sa të kem jetë, të gjithë ata që janë përlyer në këtë histori të ndyrë do të marrin reston e vet. Unë nuk do të ndaloj së kërkuari drejtësi, kjo është tallje. Ai e theri, ia nguli thikën nga lart, e rrëzuan tinëz, që nuk kishin asnjë punë dhe ai ndryshon kualifikimin e veprës penale, heq paramendimin, le vetëm vrasje në bashkëpunim me dashje, që të abuzojnë me vendimin. Siç duket këta gjykatës nuk kanë frikë as nga vettingu, ose e dinë që janë në rreth, të futur në rreth dhe tani të përfitojnë çfarë munden. Nuk i bëhet vonë se vdiq djali im. Fatin tim të zi e provofshin gjykatësit në fillim, e provofshin fatin tim të zi. Kaq kam për të thënë”, 

tha nëna e të ndjerit.

“Turp për Sokol Tonen, turp për Tan Gjermenin, turp për Besnik Hoxhën. Mallkimi i djalit tim i ndjektë këta gjykatës, këta plehra. Si e ndërrojnë kualifikimin e veprës këta? Këtu të gjitha faktet janë të pastra si kristali. Ç’është kjo drejtësi? Unë do them vetëm një gjë, padrejtësia e gjykatësve sot lëvizi pllakën e djalit tim. Por ne do ta ndjekim këtë me çdo kusht, unë do ta vendos drejtësinë me të gjitha mënyrat. 19 vjet për Dejvi Bitrajn që ma vrau çunin, e masakruan me shkelma dhe 19 vjet… nga 12 i dënuan këta të tjerët, turp e faqe e zezë. Ky është mjerimi i drejtësisë. Turp, faqja e zezë për këta gjykatës plehra”,

shtoi babai i tij.

Sherri mes palëve ndodhi në afërsi të stadiumit “Selman Stërmasi” dhe motiv ishte një karikues celulari.

/tvklan.al