Këtë të hënë hyjnë në fuqi masat e reja kufizuese të marra nga Komiteti Teknik i Ekspertëve të dielën. Duke nisur nga sot, ora policore do të shtyhet me dy orë.

Qytetarët do të kenë mundësi që të lëvizin lirshëm deri në orën 22:00 të mbrëmjes. Deri në këtë orar do të zgjatet edhe shërbimi në lokale, bare e restorante. Pas orës 22:00 deri në 06:00 hyn në fuqi ora policore. “Do të vijojë të mbeten në fuqi të gjitha masat e orës policore nga ora 22:00-06:00 të mëngjesit”, tha një ditë më parë ministrja Manastirliu.

Po ashtu, duke parë edhe përmirësimin e situatës në Mbretërinë e Bashkuar janë rihapur fluturimet me Britaninë. “Duke marrë në konsideratë përmirësimin e ndjeshëm të situatës së epidemisë në Mbretërinë e Bashkuar, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka propozuar rihapjen e fluturimeve me këtë shtet”, tha ministrja.

Ministria argumentoi se fillimi i muajit të Ramazanit ishte një arsye që çoi në lehtësimin e masave, por kërkoi që të mos neglizhohen masat parandaluese për përhapjen e Covid. Vendimet e Komitetit Teknik të Ekspertëve do të jenë në fuqi për 2 javët e ardhshme./tvklan.al