Këtë të martë, 4 nëntor 2025, në Bruksel zhvillohet Samiti i Bashkimit Europian mbi zgjerimin e Unionit.

Punimet e samitit do të zhvillohen nga ora 14:00 deri në 17:00, ku do të marrin pjesë udhëheqës të vendeve kandidate për anëtarësim, përfaqësues të shteteve kandidate dhe ekspertë të ndryshëm për të diskutuar të ardhmen e familjes evropiane.

Fillimisht u raportua se do të ishte i pranishëm edhe kryeministri i vendit Edi Rama, por mësohet se ai e ka anuluar udhëtimin për në Bruksel, pasi ka agjendë tjetër.

Ndërkohë, në samit do jenë prezentë kryeministri malazez Milojko Spajiç, kryeministri maqedonas Hristijan Mickoski, presidenti serb Aleksandër Vuçiç, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe presidentja moldave Maia Sandu.

Nga Bashkimi Europian do të marrë pjesë Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa.

Forumi mbahet nën moton “Përmes zgjerimit sigurojmë të ardhmen tonë” dhe do të kryesohet nga Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, dhe Kreu i Këshillit Evropian, Antonio Costa.

Eventi do të përfundojë me fjalimin përmbyllës të Presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, ndërsa fjalime do të mbajnë presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrat e Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut.

Shqipëria “nxënëse e dalluar” në rrugën drejt BE-së

Këtë të martë pritet edhe publikimi i raporteve të zgjerimit për secilin nga shtetet kandidate për anëtarësimin në BE. Komisionerja Marta Kos ka theksuar përparimin e Shqipërisë dhe Malit të Zi me reformat e integrimit. Ajo e konsideron vendin tonë “një nxënëse të dalluar në raport me përmbushjen e detyrimeve ndaj Brukselit”.

“Të martën do të raportojmë mbi progresin që kemi arritur gjatë vitit të kaluar me shtetet kandidate në procesin e zgjerimit të BE-së. Dy shtete dallohen në këtë proces, Mali i Zi dhe Shqipëria. Ato kanë realizuar një përparim të suksesshëm me reformat e integrimit. Ne kemi hapur dhe mbyllur më shumë kapituj brenda një viti me këto dy shtete sesa gjatë 15 viteve të fundit.

Këto dy vende të vogla, Mali i Zi me 600,000 banorë dhe Shqipëria me 2.5 milionë, janë duke përparuar drejt anëtarësimit në familjen tonë evropiane. Të dyja këto shtete kanë vendosur afate konkrete me data ambicioze për të mbyllur negociatat. Kjo e bën vitin e ardhshëm një moment të së vërtetës për to, veçanërisht për realizimin e reformave themelore, sidomos në funksionimin e shtetit ligjor”, ka deklaruar Kos më 3 nëntor…(Lexo më shumë)

Nga leximi paraprak i progres-raportit vjetor për Shqipërinë, nënvizohet roli i SPAK në luftën ndaj korrupsionit në nivele të larta politike, ku kërkohen dënime të formës së prerë.

Një vend të veçantë zë sekuestrimi i pasurive që rrjedhin nga korrupsioni dhe krimi i organizuar. Behet thirrje sërish për vijimin e dialogut politik për përmirësimin e procesit zgjedhor përmes reformës së re zgjedhore.