Mbi 160 milionë amerikanë thirren sot në votime në “të martën e madhe” të zgjedhjeve të mesmandatit, një test vendimtar që mund t’ia vështirësojë ndjeshëm qeverisjen administratës Trump për dy vitet e ardhshme.

Deri më tani, mbi 57.5 milionë votues shfrytëzuan votimin e parakohshëm përmes postës ose në qendrat e dedikuara, një mundësi që u jepet qytetarëve për të shmangur radhët e ditës së zgjedhjeve.

Në këtë garë historike rinovohen të gjitha 435 vendet e Dhomës së Ulët dhe 35 nga 100 vendet e Senatit, të shpërndara në 35 shtete. Vëmendja kryesore fokusohet tek betejat e nxehta në 7 shtete, Teksas, Ohajo, Mejn, Miçigan, Ajova, Kansas e Alaska.

Ndonëse jo gjithmonë kanë qenë të sakta, sondazhet flasin për humbjen e shumicës nga republikanët në të dyja dhomat e kongresit.

Në Dhomën e Përfaqësuesve, demokratët ka gjasa të marrin kontrollin sigurojnë të paktën 227 vende. Në Senat, ku për të ruajtur shumicën republikanët nuk duhet të humbasin më shumë se dy vende, projeksionet tregojnë se ata rrezikojnë të humbasin një mesatare prej 4 deri në mbi 5 vende kyçe.

Avantazhi për demokratët ushqehet nga pakënaqësia e thellë ekonomike. Lufta me Iranin ka shkaktuar rritje drastike të çmimeve, duke e dyfishuar atë të benzinës në më pak se një vit, pavarësisht premtimeve të Trump për ta ulur në nivele historike.

Përballë rrezikut të humbjes së kontrollit në Kongres, presidenti Trump lëshoi një paralajmërim të fortë: nëse republikanët humbasin shumicën, ai do të përdorë fuqinë e veto-s për të bllokuar çdo nismë dhe do të mbrojë reformat e tij me çdo kusht.

/tvklan.al