Fushata për zgjedhjet e mesmandatit në Shtetet e Bashkuara pritet të jetë më e shtrenjta e regjistruar ndonjëherë, me një kosto totale që parashikohet të arrijë në gati 12 miliardë dollarë, sipas “Open Secrets”, një organizatë e pavarur që monitoron financimin e fushatave.
Pjesa më e madhe e shpenzimeve vjen nga grupe politike të jashtme, të njohura si komitete të veprimit politik, të cilat derdhin shuma të mëdha parash në gara kyçe.
Donatori më i madh individual është biznesmeni miliarder Elon Musk, i cili ka shpenzuar pothuajse gjysmë miliard dollarë për të mbështetur kandidatët republikanë, veçanërisht në Teksas, ku ndodhen selitë e shumë prej kompanive të tij.
Përveç individëve, edhe organizatat mund të kontribuojnë në të ashtuquajturat komitete të veprimit politik. Për shembull, “Geosor Corp” dhe “Fund for Policy Reform” – të dyja të themeluara nga financieri miliarder George Soros – kanë dhënë gjithsej 102 milionë dollarë për grupe me orientim liberal.
Përveç Soros, donatori më i madh në krahun demokrat ka qenë ish-kryetari i bashkisë së Nju Jorkut dhe biznesmeni Michael Bloomberg, i cili ka dhuruar më shumë se 60 milionë dollarë.
Sipas të dhënave më të fundit të dorëzuara në Komisionin Federal të Zgjedhjeve, të cilat mbulojnë periudhën deri në mesin e tetorit, në këtë cikël zgjedhjesh të mesmandatit janë shpenzuar më shumë se 9,5 miliardë dollarë.
Kandidatët, partitë dhe grupet e jashtme janë të detyruara t’i raportojnë shpenzimet e tyre, por shifrat totale përfundimtare nuk do të jenë të disponueshme deri pas përfundimit të zgjedhjeve.
Megjithatë, “Open Secrets” parashikon se shuma totale do të arrijë në 11,9 miliardë dollarë, bazuar në tendencat e cikleve të mëparshme zgjedhore.
Kjo do të ishte rreth 30% më shumë sesa shuma e shpenzuar gjatë zgjedhjeve të fundit të ndërmjetme në vitin 2022.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 