Tiranë – Me urdhër të SPAK (Struktura e Posaçme AntiKorrupsion), agjentët e BKH-së (Byroja Kombëtare e Hetimit) kanë zbarkuar mëngjesin e sotëm, 16 dhjetor, në zonën e Kodrës së Diellit.

Siç njofton edhe Prokuroria e Posaçme, janë lëshuar 8 masa sigurie, për abuzim me tenderat e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

(Kliko këtu për njoftimin e plotë)

Është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi” për drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj. E njëjta masë për zëvendësen e saj, Hava Delibashi, ndërsa ajo e “arrestit me burg” për biznesmenët E.A., dhe E.B. Ndalohet dalja jashtë vendit për tre biznesmenë të tjerë, A.P., dhe G.H., dhe R.Rr.

Masa e “pezullimit të ushtrimit të detyrës” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit” është caktuar për zëvendësdrejtorin e Policisë Tiranë, Erion Ismaili. Masa më të lehta sigurimi për efektivë të Policisë që dyshohet se janë të përfshirë në këtë skemë.

Sipas SPAK, ata akuzohen për veprat penale, “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqje e paligjshme e lirisë”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal” si dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Gjithashtu masë sigurimi është kërkuar edhe për administratorë të disa kompanive të cilët me veprime të kundërligjshme, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, kanë marrë pjesë formalisht në procedura tenderimi, kanë lëshuar fatura tatimore fiktive si dhe kanë realizuar transaksione kundrejt  kompanive të cilat nuk ishin pjesë e procesit të tenderimit.

Hetimi për çështjen ka nisur prej më shumë se 1 viti dhe këtë të martë janë dokumentuar e janë sekuestruar një sërë provash pas kontrolleve në banesa.

Gazetarja e Klan News, Glidona Daci, thotë se kontrollet vijojnë ende dhe se ka pasur një përplasje mes BKH-së dhe forcave të Policisë së Shtetit sa i takon ekzekutimit të masave.

Abuzim në 12 procedura tenderuese, si grup i strukturuar kriminal

“Prokuroria e Posaçme ka dyshime të forta se kemi të bëjmë me korrupsion, pastrim parash, abuzim me detyrën, dyshime për kanosje dhe kërcënime për biznesmenë të ndryshëm që të tërhiqeshin nga gara, sa i përket 12 procedurave tenderuese me vlerë disa miliona euro. Të gjitha procedurat tenderuese kanë të bëjnë me pajisje që janë blerë për mirëmbajtjen e serverave dhe sistemeve. Ka prova të forta se kemi të bëjmë me paracaktim tenderash dhe ndikim të paligjshëm”, raportoi Daci.

“Ka dyshime se disa prej personave të përfshirë janë larguar jashtë vendit”, shtoi ajo, referuar të dhënave paraprake. Ndërkohë, në reagimin zyrtar të SPAK, konfirmohet se masat e heqjes së lirisë ndaj dy biznesmenëve nuk janë ekzekutuar!

Shtetasit e dyshuar, sqaron Prokuroria e Posaçme, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, kanë kryer veprime të kundërligjshme, konkretisht në përcaktimin e kritereve specifike jo të përcaktuara në ligj, për favorizimin e disa kompanive kundrejt të tjerave.

Në kuadër të veprimtarisë së “Grupit të strukturuar kriminal”, ata kanë detyruar përfaqësues të kompanive pjesëmarrëse në tendera të heqin dorë nga ankimet për procedurat e caktuara të tenderimit, kësisoj, duke i hapur rrugën kompanive të paracaktuara, për të cilat shqyrtimi i ankimimit mund të sillte edhe ndryshimin e renditjes së listës së fituesve.

Kujtojmë se drejtoresha e AKSHI-t u paraqit në SPAK më 3 dhjetor, ku qëndroi rreth 3 orë. Atë ditë u raportua se ajo ka dhënë dëshmi sa i takon hetimeve për shkelje dhe keqpërdorime në procedura tenderash brenda institucionit që ajo drejton.

Masa Sigurie SPAK
Personi / Funksioni Veprat Penale Masa e Sigurimit
Mirlinda Karçanaj
Drejtoreshë e AKSHI-t
Shkelje e barazisë në tendera apo ankande publike, Grup i strukturuar kriminal, Kryerje veprash nga organizata kriminale Arrest në shtëpi
Hava Delibashi
Zv.drejtoreshë e AKSHI-t
Shkelje e barazisë në tendera apo ankande publike, Grup i strukturuar kriminal, Kryerje veprash nga organizata kriminale Arrest në shtëpi
Erion Ismaili
Zv.drejtor i Policisë Tiranë
Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës, Grup i strukturuar kriminal, Kryerje veprash nga organizata kriminale Pezullim detyre + Ndalim dalje jashtë shtetit
E.A.
Biznesmen
Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës, Heqje e paligjshme e lirisë, Shkelje e barazisë në tendera, Grup i strukturuar kriminal, Kryerje veprash nga organizata kriminale, Pastrim i produkteve të veprës penale Arrest në burg (pa ekzekutuar)
E.B.
Biznesmen
Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës, Heqje e paligjshme e lirisë, Shkelje e barazisë në tendera, Grup i strukturuar kriminal, Kryerje veprash nga organizata kriminale, Pastrim i produkteve të veprës penale Arrest në burg (pa ekzekutuar)
A.P.
Biznesmen
Pastrim i produkteve të veprës penale, Grup i strukturuar kriminal, Kryerje veprash nga organizata kriminale Ndalim dalje jashtë shtetit
G.H.
Biznesmen
Pastrim i produkteve të veprës penale, Grup i strukturuar kriminal, Kryerje veprash nga organizata kriminale Ndalim dalje jashtë shtetit
R.Rr.
Biznesmen
Pastrim i produkteve të veprës penale, Grup i strukturuar kriminal, Kryerje veprash nga organizata kriminale Ndalim dalje jashtë shtetit

/tvklan.al