Prokuroria e Posaçme ka tashmë një të penduar në hetimet ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa.
Nga burime të Klan News, mësohet se e penduara është Adela Kondakçi, financierja e organizatës që drejtonte Ajola Xoxa, e cila ka pranuar të bashkëpunojë me SPAK. Ajo është një nga të akuzuarat në këtë dosje.
Burime nga Prokuroria e Posaçme bëjnë me dije se Kondakçi ka treguar me detaje se si bëhej lëshimi i faturave fiktive dhe transaksionet me qëllim fshehjen e origjinës së parave.
Mësohet se ajo ka dorëzuar në Prokurorinë e Posaçme çdo informacion ose të dhëna që zotëronte për çiftin e bashkëshortëve Veliaj-Xoxa.
Nëse statusi i saj mbetet në fuqi, Kondakçi pritet të përfitojë ulje dënimi nëse shpallet fajtore.
Që nga nisja e hetimit, SPAK ka marrë rreth 100 dëshmi për çështjen në ngarkim të Veliajt. Janë sekuestruar kontrata, dokumente, pajisje kompjuterike, celularë, me qëllim provimin e akuzave ndaj të dyshuarve.
Erion Veliaj u njoh me akuzat të mërkurën, në ambientet e paraburgimit të Durrësit, aty ku po qëndron që prej 10 shkurtit. SPAK i komunikoi kryebashkiakut të Tiranës se e ka marrë të pandehur për 4 akuza: korrupsion, pastrim parash, mosdeklarim të pasurisë dhe futje të sendeve të paligjshme në paraburgim.
Me akuzat u njoh edhe bashkëshortja e tij dhe personat e tjerë të kësaj dosjeje.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 