10 vite burg kërkoi Prokuroria e Posaçme për ish‑kreun e ARRSH, Evis Berberi, për të cilin thotë se është fajtor për përfshirje në korrupsion në 6 raste, pastrim parash dhe shkelje të barazisë në tendera në 4 episode. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, nëse Gjykata e Posaçme e dënon sipas kësaj kërkese, ai do të përfitojë ulje të dënimit në 6 vite e 8 muaj heqje lirie.
Po ashtu, SPAK kërkoi nga treshja e gjyqtarëve që Berberit t’i ndalohet për 5 vite mbajtja e posteve publike. Me 7 vite e 6 muaj burg, sipas prokurorit të Posaçëm Dritan Prenci, duhet të dënohen dy të pandehurit Ervis Lami dhe Brunilda Luli, të cilët janë në gjyq për korrupsion dhe pastrim parash. Po ashtu, dënimi ndaj tyre të konvertohet në 4 vite shërbim prove, pasi kanë bashkëpunuar me Prokurorinë.
Nga 1 deri në 2 vite burg u kërkua për ish‑kreun tjetër të ARRSH, Gentian Gjyli, ish‑drejtorin e OSHEE, Erald Elezi, dhe 16 ish‑zyrtarë të tjerë, të cilët akuzohen për shkelje të barazisë në tendera si pjesë e komisioneve përzgjedhëse. Për të gjithë ish‑zyrtarët, SPAK tha se duhet t’u hiqet e drejta për të mbajtur poste publike për 3 vite, teksa përveç Berberit, Elezit dhe Gjylit, dënimet me burg për të pandehurit e tjerë u kërkuan të konvertoheshin në shërbim prove dhe punë në interes publik.
Nga hetimet e kryera, SPAK argumentoi në GJKKO se gjeti në shkelje 8 procedura tenderash të zhvilluara në vitet 2020‑2022 në Agjencinë për Efiçencën e Energjisë dhe Autoritetin Rrugor Shqiptar.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 