Ish-kryebashkiaku i Himarës, Jorgo Goro, rrezikon që të rikthehet në qeli pas më shumë se 7 muajsh që fitoi lirinë. Prokuroria e Posaçme ka nxjerrë urdhrin e ekzekutimit që Goro duhet të rikthehet në qeli pas vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit. Sipas SPAK, ish-kryebashkiakut të Himarës i kanë mbetur pa shlyer edhe 6 muaj e 10 ditë heqje lirie, e për këtë arsye duhet të rikthehet në burg.
Apeli la në fuqi vendimin e shkallës së parë dhe Goro u dënua me 2 vite heqje lirie, por për shkak të gjykimit të shkurtuar atij i ulet 1/3 e dënimit dhe përfundimisht duhet të shlyejë 1 vit e 4 muaj heqje lirie për tjetërsimin e një prone në Livadhë.
Prokurori Elvin Gokaj ka nxjerrë të hënën urdhrin e ekzekutimit, ndërsa ende policia nuk e ka ekzekutuar. Mbrojtja e Goros pretendon se dënimi është shlyer nga ish-kryebashkiaku me kohën e qëndrimit në paraburgim. Çështja tashmë ka shkuar në dyert e Gjykatës së Posaçme, e cila duhet të shqyrtojë të gjithë bazën dokumentare dhe provat e të dyja palëve.
Jorgo Goro u lirua nga burgu në gusht të vitit 2025 pasi vuajti 17 muaj, i akuzuar në dy episode të ndryshme për tjetërsimin e 10 mijë metrave katrorë në zonën e Himarës.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 