Prokuroria e Posaçme përfundoi hetimet ndaj ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj për dosjen që rrjedh nga hetimet për inceneratorin e Elbasanit.

Përmes avokatit të tij, hetuesit i komunikuan ish-zyrtarit, i cili është në arrati që prej verës së vitit 2023, tri akuza: përfshirje në korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë.

Të pandehur në të njëjtën dosje janë marrë edhe disa persona të tjerë, mes të cilëve bashkëjetuesja e Ahmetajt dhe ish-gruaja e tij.

SPAK thotë se, duke ruajtur lidhje të afërta ndër vite me biznesmenët Mirel Mërtiri e Klodian Zoto, të dy në kërkim, ish-zëvendëskryeministri ka përfituar në formën e korrupsionit prej tyre pasuri dhe pagesa për udhëtime.

Vetë Ahmetaj, nga arratia, në disa reagime ka mohuar akuzat e SPAK-ut si të motivuara politikisht dhe ka konsideruar vonesën për përfundimin e hetimeve si dobësi të dosjes, e cila sipas tij nuk ka prova.

SPAK e ka çuar në gjyq atë për një tjetër dosje që lidhet me privatizimin e fabrikës së Bukës në kryeqytet, ku po gjykohet në themel për dyshimet se ka shfrytëzuar detyrën e tij si ministër i Financave.

Tv Klan

/tvklan.al