Mbrëmjen e sotme, Spanja dhe Belgjika do të përballen në çerekfinalet e Kupës së Botës 2026, në takimin e parë zyrtar mes tyre pas 17 vitesh. Dy kombëtaret vijnë në këtë sfidë pas fitoreve bindëse, por me rrugë të ndryshme drejt fazës me eliminim direkt.

Spanja vazhdon të konfirmojë formën e jashtëzakonshme nën drejtimin e Luis de la Fuente. Skuadra iberike eliminoi Portugalinë falë golit vendimtar të Mikel Merinos në minutat e fundit, duke siguruar çerekfinalen e parë në një Botëror që nga viti 2010, kur ngriti edhe trofeun. “La Roja” ka vendosur edhe një rekord historik, duke u bërë kombëtarja e parë që regjistron gjashtë ndeshje radhazi pa pësuar gol në Kupën e Botës.

Nga ana tjetër, Belgjika mbërrin me besim të madh pas suksesit 4-1 ndaj SHBA-së. Skuadra e drejtuar nga Rudi Garsia është e para në këtë edicion të Kupës së Botës që ka kaluar shifrën e 100 goditjeve drejt portës, ndërsa ka zgjatur serinë pa humbje në 18 ndeshje. Me një mesatare prej më shumë se tre golash për takim gjatë kësaj periudhe, Belgjika paraqitet si sfida më e madhe për mbrojtjen e pathyeshme të Spanjës.

Historia është në favor të iberikëve. Spanja ka fituar pesë përballjet e fundit ndaj Belgjikës, ndërsa takimi i fundit mes tyre daton në vitin 2016, kur spanjollët triumfuan 2-0 në një ndeshje miqësore. Në planin individual, Mikel Merino pritet të ketë një rol edhe më të rëndësishëm pas golit vendimtar ndaj Portugalisë, ndërsa Belgjika do të mbështetet te eksperienca dhe instinkti i Romelu Lukakut, i cili vazhdon të jetë një armë vendimtare edhe kur aktivizohet nga stoli.

Sa u përket mungesave, Spanja nuk raporton probleme të reja, ndërsa Belgjika do të jetë pa mesfushorin Onana, i cili mungon për shkak të një dëmtimi të rëndë në gju. Gjithçka është gati për një duel spektakolar mes dy pretendentëve, ku vetëm njëra prej tyre do të vazhdojë rrugëtimin drejt ëndrrës për titullin botëror. Ndeshja nis në orën 21:00 dhe do të transmetohet ekskluzivisht në Televizionin Kombëtar Klan.

Klan News

/tvklan.al