Trajneri i Spanjës U-21, David Gordo, ka komentuar përballjen me Shqipërinë, duke e cilësuar sfidën e parë mes dy përfaqësueseve si një ndeshje të vështirë dhe shumë kërkuese.
Tekniku spanjoll vlerësoi kuqezinjtë, ndërsa u ndal edhe te atmosfera që pritet të shoqërojë këtë takim.
Gordo shprehu gjithashtu vlerësimin për stadiumin dhe infrastrukturën sportive në Shqipëri, të cilat tha se i kishte parë nga afër gjatë vizitës së fundit.
“Ndeshja e parë kundër Shqipërisë do të jetë shumë e vështirë, pasi jemi përballur edhe më parë me ta. Do të jetë një ndeshje e bukur dhe shumë kërkuese, ndërsa atmosfera përreth saj do të jetë e jashtëzakonshme. Stadiumi dhe infrastruktura janë fantastike, pasi ishim atje vetëm pak javë më parë”, tha trajneri i Spanjës U21, David Gordo.
Gordo theksoi se asnjëra prej sfidave në grup nuk do të jetë e lehtë, duke përmendur edhe Finlandën, me të cilën Spanja është përballur në fazën kualifikuese dhe që, sipas tij, i ka vështirësuar ndjeshëm rrugën drejt kualifikimit.
“E nisim me një ndeshje shumë të vështirë dhe i gjithë grupi do të jetë i komplikuar për ne. Edhe Finlanda ishte në grupin tonë në fazën kualifikuese dhe na e vështirësoi shumë rrugën drejt kualifikimit. Sa i përket Italisë, çfarë mund të them? Për ne ajo është një derbi. Përballemi shpesh me italianët në grupmoshat e ndryshme të ekipeve kombëtare të Spanjës. Prandaj, e dimë që që në fillim do të na duhet të japim maksimumin, në mënyrë që të sigurojmë kualifikimin”, tha Gordo.
Shqipëri-Spanjë do të luhet më 16 qershor në “Arenën Kombëtare”, me përballjet e Europianit 2027 që do të transmetohen në Tv Klan.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
