Në daljen e parë publike pas përjashtimit nga grupi parlamentar socialist, Elisa Spiropali, e konsideroi vendimin nul, pasi sipas saj në asamblenë kombëtare nuk pati asnjë proces votimi.

“Në atë asamble nuk pati asnjë votim. Askush nuk mori përsipër të mbante procesverbal, sepse njerëzit ishin të shokuar. Ai vendim është nul. As isha në atë mbledhje të grupit dhe as nuk kishte një rend dite për votim. Nuk u bë votim për legjitimimin e një vendimi të Asamblesë. Gruaja e parë e përjashtuar nga një parti në 2026 për arsye të qëndrimeve të mia, nuk duhet të çuditemi fare”, tha Spiropali.

Spiropali deklaroi se betejën do e vijojë brenda strukturave të partisë, ku nuk përjashtoi edhe mundësinë për të marrë pjesë në mbledhje të grupit ndërsa mohoi çdo mundësi për lënien e mandatit.

“Nuk heq dorë nga mandati. Kam qenë drejtuese politike në Tiranë, kam punuar të marrin vota edhe të tjerë. Nuk kam pikë problemi ta përfundoj karrierën time politike, i detyrohem gjithmonë forcës sime politike. Unë do të jem aty. Unë s’kam mbyllur asnjë derë. Ata që duan të mbyllin derën me forcë, ndoshta do të jetë hera e parë në histori që një grua do të tentojë të hyjë në një mbledhje me roje e policë”, tha Spiropali.

I kërkoi Ramës të hapë garën për kreun e partisë socialiste.

“Le të hapet gara në PS pas 17 vitesh dhe jo vetëm unë, por shumë të tjerë të garojnë për kreun e PS. Kush është i pazëvendësueshëm? Kjo logjikë e sulltanit, e kryetarit ka prodhuar këto problematika të rënda që të rinjtë po i tregojnë me gisht dhe po na tregojnë me gisht të gjithëve. Është domdosdoshmëri që ai të ndryshojë mënyrën e qeverisjes, ose të ikë”, tha Spiropali.

Një koment, Spiropali e kishte edhe për kallëzimin penal të regjistruar nga SPAK.

“Jo një kallëzim të ketë në SPAK, por sikur të gjithë ata të vihen në rresht, nuk e kam pikën e problemit. Unë kur e kam nisur këtë betejë, e kam pasur shumë të qartë se çfarë vjen. Kallëzimi është një gjë, le të bëjnë sa të duan, sepse nuk kam se çfarë të fsheh”, tha Spiropali.

Spiropali thekson se i qëndron parimeve të majta ndërsa pranon se ka edhe ajo përgjegjësitë e saj në këtë model qeverisës që sot e kritikon.

/tvklan.al