Koncesioni u hetua më parë nga Prokuroria e Tiranës

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka marrë denoncimin e parë. Bëhet fjalë për koncesionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale. Nisma “Thurje”, që paraqiti kallëzimin për zyrtarët publikë të përfshirë në këtë koncesion, thotë se ka dyshime të forta që kjo është një aferë korruptive.

Nisja “Thurje” thotë se kostot e koncesionit janë shumë të larta, pasi kompania merr 190 euro për sterilizimin e një seti kirurgjikal, ndërsa më parë kur ky proces kryhej nga spitalet, kostoja ishte vetëm 2.4 euro.

Në kallëzimin e bërë në SPAK përmenden edhe dyshimet e hedhura në media për disa takime paraprake të ministrit të shëndetësisë se asaj kohe, Ilir Beqaj me përfaqësues të kompanisë fituese te koncesionit si dhe fakti që sterilizimi nuk u dha me tender të hapur publik. Kallëzuesit kërkojnë hetim edhe mbi cilësinë e shërbimit që ofron koncesioni.

Koncesioni i sterilizimit u fitua nga kompania “Sani Service” dhe kontrata u lidh ne dhjetor te vitit 2015, për 10 vjet, dhe me një vlerë fillestare 9.6 miliardë lekë.

Prokuroria e Tiranës e hetoi këtë koncesion 4 vjet më parë, por i mbylli më pas hetimet.

Tv Klan