Në një intervistë ekskluzive për Klan News në Strasbourg presidentja e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës Gunn Marit Helgesen tha se në Shqipëri duhet të vijojë dialogu për reformat në të gjitha nivelet e qeverisjes.
“Ne përpiqemi që të jemi shumë të saktë lidhur me rolin tonë; sigurisht, ne nuk gjykojmë dhe as nuk ndërmarrim veprime pro apo kundër reformave. Ajo për të cilën ne jemi shumë të qartë, është se konsultimi mes nivelit vendor e rajonal të qeverisjes dhe nivelit kombëtar është çelësi i suksesit. Pra, nëse vërtet dëshironi që kjo reformë të jetë e suksesshme, ne ju themi se duhet të konsultoheni me qeverisjen vendore dhe rajonale. Nëse keni shumë nxitim për të zbatuar reforma pa këtë konsultim, shpeshherë dështoni, sepse më pas shihni, se po ndodhin protesta e gjëra të ngjashme. Pra, çështja kryesore këtu nuk është të thuash nëse reforma është e mirë apo e keqe, por se duhet të ketë një dialog të ngushtë me nivelin vendor dhe rajonal”, tha presidentja e kongresit të KiE, Gunn Marit Helgesen.
Duke iu referuar protestave ajo e këshilloi qeverinë që të reflektojë mbi shtetësimet e qytetarëve.
“Mendoj se të gjitha reagimet nga qytetarët janë një sinjal se situata nuk është aq mirë sa mund të ishte. Ne duhet që ta marrim seriozisht pyetjen: pse po protestojnë njerëzit? Pse janë kaq të zemëruar apo të frustruar? Ky është ndoshta një sinjal i hershëm, të cilin ne e vërejmë fillimisht me problematikat në nivelin vendor, sepse këto autoritete jane shumë pranë qytetarëve. Kjo është pikërisht ajo që diskutuam kur trajtuam çështjen e “sinjaleve të hershme” edhe në rastin e Shqipërisë një lloj instrumenti monitorues për të matur se si po evoluon dhe po zhvillohet demokracia. Ne e kuptojmë se po ndodh një regres demokratik. Çfarë mund të bëjmë? Nëse njerëzit po protestojnë në shumë vende, duhet të jemi shumë të qartë se ky është një sinjal që duhet marrë seriozisht dhe duhet që të ndalemi pak për të parë se çfarë mund të bëjmë. Pra, kjo është një shenjë se ka shumë zemërim dhe zhgënjim lidhur me zhvillimin. Nëse do të isha kryeministre e Shqipërisë do t’i ftoja autoritetet vendore dhe rajonale në një dialog të ngushtë dhe të sinqertë rreth situatës dhe asaj që mund të bëjmë së bashku”, tha Helgesen.
Helgesen e konsideroi si serioze situatën me kreun e bashkisë së Tiranës i cili është në paraburgim pa një vendim përfundimtar gjykate.
“Është serioze, vërtet serioze. Ne nuk pranojmë që njerëz apo përfaqësues të zgjedhur të burgosen ose të mbahen në paraburgim pa një vendim përfundimtar nga gjykatat, ndaj përgjigjja është e njëjtë edhe për këtë kryetar bashkie. Nuk kam qenë shumë e informuar kohët e fundit, por ne e njohim situatën ndaj mendoj se kjo është diçka që ndoshta duhet ta shqyrtojmë më thellë. Mendoj se kjo është një situatë serioze. Ne duhet që të respektojmë sundimin e ligjit. Roli ynë nuk është që të zëvendësojë gjyqësorin në shtetet anëtare të KiE. Ne nuk jemi gjyqtarë por qëllimi ynë është që të shfrytëzojmë njohuritë dhe përvojën që kemi në mbrojtjen e autoriteteve lokale të zgjedhura drejtëpërsëdrejti nga qytetarët”, tha Helgesen.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 