05 nëntor 2026- Kryeministri Edi Rama deklaroi se tre grupe studentësh janë penguar dhe kërcënuar për shkak se kanë shprehur dëshirën për t’u takuar me të, në kuadër të përpjekjeve për të hapur një dialog me studentët.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me ambasadoren e Bashkimit Evropian në Tiranë, Sofia Moreira de Sousa, Rama u shpreh se studentët janë përballur me presion dhe bullizim, si në hapësirën online, ashtu edhe jashtë saj.

Sipas kreut të qeverisë, tre grupe studentësh janë kthyer mbrapsht me dhunë në përpjekjet e tyre për të zhvilluar një takim me të, pa kamera dhe pa foto, por thjesht për të biseduar.

Ai paralajmëroi se nga nesër do të hapet një dritare të re dialogu, për të gjithë ata që duan të ndërveprojnë me Ramën dhe qeverinë.

“Nesër do të ndezim një tjetër dritare dialogu, që u ofrohet atyre që duan të ndërveprojnë me mua dhe qeverinë. Studentë që kërcënohen nga pseudo-studentë që shfaqen në dyert e auditorëve dhe u çojnë mesazhe të ndryshme atyre që mendojnë ndryshe. Tre grupe studentësh janë kthyer mbrapsht me dhunë, online dhe offline, në përpjekjet e tyre për të ardhur në takim me mua, pa kamera, pa foto, thjesht për të biseduar. Tre grupe studentësh, me emra dhe mbiemra. Pastaj të bullizuar në ekstrem”, deklaroi Rama.

Kryeministri u ndal edhe te përvoja e tij si student dhe pedagog, duke theksuar se nuk do të tërhiqet përballë kërcënimeve apo dhunës.

“Një gjë dua të jetë e qartë, nuk jam më student dhe pedagog, por vij nga një rrugë ku kam qenë student dhe pedagog. Kam dalë kundër një regjimi real, jo imagjinar, për të qenë i lirë të them atë që dua, ku të dua. Kush mendon se me trembjen, dhunën, do të ketë impaktin më të vogël mbi mua dhe rrugëtimin tonë, i ka bërë llogaritë gabim”, u shpreh ai.

/tvklan.al