Serbia shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 25 tetor, ndërsa në rrugët e Beogradit mijëra studentë dhe mbështetës të opozitës kanë marshuar për të dorëzuar listat e kandidatëve të lëvizjes së tyre, të pagëzuar “Studentët fitojnë”.

Protestat, që kanë tronditur vendin prej afro dy vitesh, nisën pas shembjes së çatisë së stacionit hekurudhor në Novi Sad, ku humbën jetën 16 persona.

Në qendër të zhvillimeve politike është Aleksandar Vuçiç, i cili ka dominuar politikën serbe për më shumë se një dekadë dhe ka njoftuar se do të kandidojë për postin e kryeministrit.

Mijëra njerëz marshuan në qendër të Beogradit, me flamuj serbë dhe me mesazhin “Studentët fitojnë”.

Protestuesit u drejtuan drejt Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, ku dorëzuan nënshkrimet e certifikuara të mbështetësve të tyre, hapi i parë për regjistrimin e listave në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit.

Presidenti serb, i cili ka qenë në krye të pushtetit si kryeministër apo president për rreth 12 vjet, ka thënë se do të kandidojë për postin e kryeministrit në zgjedhjet e tetorit.

Në qershor, Vuçiç kishte deklaruar se do të jepte dorëheqjen brenda pak javësh dhe se vendi do të shkonte në zgjedhje të parakohshme. Më pas, ai njoftoi se do të largohej nga posti i presidentit më 27 shtator. Zgjedhjet janë caktuar për 25 tetor.

Por kriza politike në Serbi nuk nisi këtë verë.

Ajo u përshkallëzua që pas 1 nëntorit 2024, kur çatia e stacionit hekurudhor në Novi Sad u shemb dhe 16 persona humbën jetën.

Ngjarja shkaktoi zemërim të madh publik dhe u kthye në pikën e nisjes së një prej valëve më të mëdha të protestave kundër qeverisë serbe.

Studentët kërkuan përgjegjësi për tragjedinë, hetim të plotë dhe ndryshime në mënyrën se si funksionojnë institucionet. Protestat u shtrinë në qytete të ndryshme të vendit dhe vazhduan për muaj me radhë.

Studentët dhe partitë opozitare e akuzojnë Vuçiçin dhe aleatët e tij për korrupsion dhe kontroll mbi median. Qeveria dhe vetë Vuçiçi i mohojnë këto akuza.

Vuçiç e nisi karrierën politike në fund të viteve ’90, si ministër i Informacionit në qeverinë e Sllobodan Millosheviçit.

Në atë periudhë, ai ishte një prej figurave të Partisë Radikale Serbe dhe mbështeste një linjë nacionaliste dhe fuqimisht kundër Perëndimit.

Pas ndryshimit të kursit politik në vitet që pasuan, Vuçiç u shndërrua në figurën dominuese të Partisë Përparimtare Serbe dhe u pozicionua si mbështetës i integrimit të Serbisë në Bashkimin Evropian, duke ruajtur njëkohësisht marrëdhënie të forta me Rusinë dhe Kinën.

Marrëdhënia me Moskën ka mbetur një prej pikave më të rëndësishme të politikës së jashtme serbe.

Pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, Beogradi e ka dënuar agresionin, por nuk iu është bashkuar sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë.

Në të njëjtën kohë, Serbia ka vazhduar rrugën drejt anëtarësimit në BE dhe ka thelluar marrëdhëniet me vende të tjera perëndimore, përfshirë Francën dhe Shtetet e Bashkuara.

Në qershor të vitit 2025, Vuçiç vizitoi Ukrainën për një samit të vendeve të Evropës Juglindore.

Një vit më vonë, në gusht 2026, presidenti ukrainas Volodimir Zelenski vizitoi Serbinë, vizita e tij e parë në vend.

Ndërkohë, në planin e brendshëm, Vuçiç ka qenë figura qendrore e politikës serbe që nga fitorja e tij në zgjedhjet presidenciale të vitit 2017.

Ai u rizgjodh president në vitin 2022, ndërsa partia e tij ka mbajtur kontrollin mbi shumicën parlamentare.

Por në rrugë, kundërshtimi ndaj tij është rritur. Në vitin 2018 nisën protesta të mëdha kundër politikave të qeverisë dhe për mënyrën e raportimit të mediave publike. Pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2023, protesta të tjera shpërthyen kundër rezultatit të zgjedhjeve.

Dhe më pas, shembja tragjike në Novi Sad e ktheu zemërimin në një lëvizje studentore mbarëkombëtare.

Tani, studentët po kalojnë nga protesta në betejën elektorale.

Në Beograd, thirrja “Studentët fitojnë” po shoqëron një nga momentet më të rëndësishme të krizës politike serbe të viteve të fundit.

Më 25 tetor, votuesit serbë do të vendosin për përbërjen e parlamentit të ri. Për studentët, zgjedhjet janë mundësia për të kthyer protestën në ndryshim institucional. Për Vuçiçin dhe kampin e tij politik, ato vijnë pas muajsh presioni dhe protestash të vazhdueshme.

Klan News

/tvklan.al