Në komitetin e Jashtëm të Senatit Amerikan, ambasadori i nominuar nga Trump për Serbinë, Michael Young tha se nëse konfirmohet, do ta inkurajojë Serbinë të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën.

“Do ta inkurajoj Serbinë të promovojë sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin në të gjithë Ballkanin Perëndimor, përfshirë edhe përmes procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën”, tha i emëruari i SHBA-ve si ambasador në Serbi, Michael Young.

Young foli edhe për shitjen e armëve Serbisë.

“Do të sigurohem që industria amerikane të jetë e pozicionuar mirë për t’iu përgjigjur interesit në rritje të Serbisë për të përmbushur nevojat e saj të mbrojtjes përmes pajisjeve amerikane dhe bashkëpunimit me industrinë e mbrojtjes amerikane”, tha Young.

Ai theksoi se do ta inkurajonte Serbinë të përqafojë një të ardhme politike dhe ekonomike që i sjell dobi Shteteve të Bashkuara, dhe jo konkurrentëve si Rusia dhe Kina.

Klan News

/tvklan.al