Kombëtarja shqiptare mori një fitore me vështirësi ndaj San Marinos, ndërsa pas ndeshjes sulmuesi Mirlind Daku theksoi se skuadra nuk duhet të nënvlerësojë asnjë kundërshtar. Daku tha se ndaj ekipeve të tilla duhet përqendrim maksimal nga të gjithë lojtarët.

“Kjo është një gjë që duhet ta mësojmë, që nuk duhet të nënvlerësojmë, se të gjithë po luajnë futboll dhe i gjithë ekipi duhet të përqendrohet maksimalisht ndaj këtyre ekipeve, se është turp me këto ekipe.

Ai moment është për llojin e presionit ose për fjalët që i përdorin para gjuajtjes së penalltisë që unë i mora pak për t’i hutuar ata mbrojtësit ose edhe portierin. Isha i sigurt që Asllani do të shënonte. Është gjithmonë lehtë, sepse edhe në stërvitje kemi provuar të luajmë bashkë. Duhet pak kohë të luajmë, por u ndjeva mirë. Patëm secili shancet tona.

Shyqyr fituam, sepse do të ishte katastrofë të mos fitonim. Te kontakti i parë dhe, për fat të keq, ishte mbrojtësi afër dhe momenti që godita, ai ma bllokoi. Edhe marrja e topit nuk ishte e duhur”, tha Daku.

Përballja Shqipëri – San Marino u zhbllokua në minutën e 11-të me një gol të Kristjan Asllanit. San Marino barazoi në pjesën e dytë, por një penallti të favor të Shqipërisë e goditur nga Asllani, i dha kombëtares 3 pikët nga stadiumi ‘Air Albania’.

/tvklan.al