Të paktën pesë persona kanë humbur jetën dhe 10 të tjerë janë plagosur pas një sulmi me dronë ukrainas ndaj një magazine pranë Moskës gjatë natës së të martës, ndërsa Rusia dhe Ukraina vijuan shkëmbimin e sulmeve ajrore në disa rajone të të dy vendeve.
Guvernatori i rajonit të Moskës, Andrei Vorobyov, bëri të ditur se një zonë industriale në Novoselki, pranë qytetit Chekhov, rreth 69 kilometra në jug të Kremlinit, u godit nga dronët, duke shkaktuar një zjarr të madh në një magazinë. Sipas tij, shtatë nga 10 të plagosurit ndodhen në gjendje të mesme, ndërsa një është në gjendje të rëndë.
Edhe pse autoritetet ruse nuk e kanë bërë publik objektivin e sulmit, mediat ukrainase raportojnë se objekti i goditur lidhet me kompaninë Wildberries, platforma më e madhe e tregtisë online në Rusi. Kievi pretendon se depot e kësaj kompanie përdoren për furnizimin e ushtrisë ruse, akuzë që Moska e ka mohuar vazhdimisht.
Autoritetet lokale raportuan gjithashtu se gjatë natës u goditën edhe magazina të Wildberries në rajonet e Shën Petersburgut dhe Tverit. Kompania konfirmoi se objekti i saj në Shën Petersburg është goditur, por nuk ka komentuar për sulmin pranë Moskës.
Ndërkohë, Rusia zhvilloi sulme ajrore në disa qytete të Ukrainës. Sipas Shërbimit Shtetëror të Emergjencave, në Mykolaiv humbi jetën një grua 89-vjeçare, ndërsa shtatë persona u plagosën, mes tyre dy vajza të moshës 2 dhe 12 vjeç.
Një tjetër sulm në rajonin e Sumyt goditi një zonë banimi, ku mbetën të vrarë një grua dhe dy vajza, 5 dhe 10 vjeç, ndërsa katër persona të tjerë u plagosën.
Sulme ruse u raportuan edhe në Bilhorod-Dnistrovskyi, ku u plagosën dy persona, si dhe në Dnipro, ku një depo ushqimore u përfshi nga flakët.
Nga ana tjetër, Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se sistemet e saj të mbrojtjes ajrore kanë interceptuar dhe shkatërruar 320 dronë ukrainas gjatë natës, në një nga valët më të mëdha të sulmeve të raportuara së fundmi.
/tvklan.al












Botërori 2026 
