Irani ka raportuar dëmtimin e tre cisternave të tjera të naftës në Ngushticën e Hormuzit këtë të enjte, duke treguar se transporti detar do të vijojë të jetë në rrezik për sa kohë lufta në Gjirin Persik nuk merr fund. Zhvillimet vijnë në një moment kur votuesit amerikanë kanë ndëshkuar presidentin Donald Trump në zgjedhjet e mesmandatit, për shkak të vendimit për të nisur luftën.

Humbja e thellë e republikanëve, të cilët humbën kontrollin e Kongresit, ka nxitur një rivlerësim të ndikimit politik të konfliktit në Uashington. Në krye të këtij qëndrimi është pozicionuar zëvendëspresidenti JD Vance, i cili në një reagim të gjatë në rrjetet sociale të mërkurën fajësoi luftën për humbjen e partisë së tij.

Kryetari i Parlamentit të Iranit, Mohammad Baqer Qalibaf, i cili ka qenë homologu i Vance në bisedimet e mëparshme të paqes, iu përgjigj me ironi deklaratave të tij. Ai e akuzoi zëvendëspresidentin se po e lejon Trumpin të vijojë me sulmet ndaj Iranit, njësoj si një bixhozxhi që, pasi humbet, vazhdon të luajë për të rikuperuar paratë.

Qalibaf tha se nëse Vance beson se lufta ishte një gabim, duhet ta bindë Trumpin t’i japë fund asaj.

“Lëri fjalimet e gjata. Pse nuk ia thua këtë shefit tënd?”, shkroi ai.

Ndërkohë, çmimet e naftës kanë rënë ndjeshëm ditët e fundit, pasi tregtarët vlerësojnë se Trump, pas humbjes në zgjedhje, mund të jetë më pak i prirur të rifillojë sulmet e ndërmarra së bashku me Izraelin në muajin shkurt, në kuadër të operacionit “Epic Fury”. Të enjten çmimet shënuan një rritje të lehtë, por mbeten më shumë se 20 dollarë për fuçi nën nivelin e javës së kaluar.

Zyrtarët iranianë kanë zhvilluar takime me ndërmjetësuesit nga Katari që prej javës së kaluar, për të diskutuar propozimet që synojnë përfundimin e luftimeve. Megjithatë, asnjëra palë nuk ka njoftuar përparim në çështjet kryesore që deri më tani kanë penguar arritjen e një marrëveshjeje paqeje.

Ndërkohë, sulmet ndaj cisternave në Gjirin Persik po vijojnë me një ritëm pranë niveleve rekord. Sipas Agjencisë Britanike të Sigurisë Detare UKMTO, të paktën pesë anije kanë raportuar incidente që prej së dielës. Ky ritëm është i ngjashëm me atë të muajit tetor, kur u regjistruan 35 incidente ndaj anijeve, numri më i lartë për një muaj që prej nisjes së luftës.

UKMTO raportoi se një anije ishte goditur nga dy predha të paidentifikuara mbrëmjen e së mërkurës.

Gardës Revolucionare të Iranit, e cila zakonisht nuk pranon se ka qëlluar ndaj anijeve tregtare, por pretendon se kalimi në këtë rrugë detare nuk është i sigurt pa miratimin e Teheranit, deklaroi të enjten se dy cisterna kishin goditur mina detare, ndërsa një tjetër kishte marrë flakë.

Të mërkurën, udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Mojtaba Khamenei, deklaroi se nuk duhet të ketë “as prirjen më të vogël drejt nënshtrimit” ndaj Shteteve të Bashkuara. Ai tha se Uashingtoni do të vijojë të mbajë qëndrim armiqësor ndaj Iranit, pavarësisht se cila parti është në pushtet.

I pyetur të mërkurën për deklaratat e Vance, Trump mbrojti vendimin për nisjen e luftës, duke përsëritur se ndërhyrja ishte e nevojshme për të parandaluar Iranin të siguronte armë bërthamore.

Një këshilltar i Shtëpisë së Bardhë i tha Reuters se disa zyrtarë të administratës e interpretuan reagimin e Vance si një distancim nga qëndrimi i presidentit për politikën e jashtme dhe si një pranim publik të pasojave ekonomike të luftës.

Megjithatë, dy burime të tjera thanë se besojnë se Trump ka gjasa të urdhërojë rifillimin e sulmeve ndaj Iranit.

“Ai po planifikon të bombardojë Iranin. Mos dëgjoni çfarë thotë. Ai i shtyu sulmet për shkak të zgjedhjeve të mesmandatit. Ne i kërkuam të priste deri në përfundimin e zgjedhjeve”, tha njëri prej burimeve. Burimi tjetër u shpreh se Trump nuk ka më asgjë për të humbur nga pikëpamja politike, tashmë që zgjedhjet kanë përfunduar.

Përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje paqeje janë përqendruar te statusi i ardhshëm i Ngushticës së Hormuzit, bllokada amerikane ndaj porteve iraniane, sanksionet kundër Republikës Islamike dhe rifillimi i negociatave për programin bërthamor të Teheranit.

Një zyrtar i lartë iranian deklaroi këtë javë se palët vijojnë të kenë qëndrime shumë të largëta nga njëra-tjetra.

Nga ana tjetër, Katari bëri të ditur të martën se Shtetet e Bashkuara dhe Irani mbeten të angazhuara në përpjekjet ndërmjetësuese dhe po shqyrtojnë propozimet për të kapërcyer mosmarrëveshjet. Doha njoftoi gjithashtu se kishte pasur zhvillime në bisedimet me të dyja palët.

/tvklan.al