Çmimi i naftës në bursat botërore ka prekur sërish përkohësisht nivelin kritik prej mbi 100 dollarë për fuçi këtë të enjte, në ditën e 13-të të luftës kundër Iranit. Shkak për këtë rritje ishte vazhdimi i goditjes së anijeve të naftës që kalojnë Ngushticën e Hormuzit pa lejen e Iranit dhe në Irak, Kuvajt dhe Bahrein. Vetëm natën e kaluar, tre anije u goditën nga dronët, raketat apo minat iraniane, duke shkaktuar zjarre masive, siç duket edhe në këtë filmim.
Kalimi iu lejua anijeve të tjera të vendeve mike me Iranin, si kjo cisternë nga India e ngarkuar me naftë në vendet e Gjirit.
Çmimet e naftës së papërpunuar u rritën pavarësisht vendimit të koordinuar të 32 vendeve të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), përfshirë SHBA-në dhe vendet e G7-ës, për të hedhur në treg 400 milionë fuçi nga rezervat e tyre emergjente. Irani ka reaguar me ashpërsi, duke deklaruar se këto masa nuk do ta ndalin Teheranin. Garda Revolucionare paralajmëroi se çmimi i naftës mund të arrijë deri në 200 dollarë për fuçi, nëse SHBA dhe Izraeli nuk tërhiqen menjëherë nga ofensiva ushtarake.
Nga ana tjetër, Presidenti Donald Trump ka shfaqur optimizëm se hedhja në treg e rezervave do të ulë ndjeshëm çmimet e naftës. Ai përsëriti se pas fundit të konfliktit, i cili sipas tij do të vijë “shumë shpejt”, çmimet do të pësojnë një rënie historike. Trump theksoi se forcat amerikane po shkatërrojnë me sukses anijet minuese iraniane në Kanalin e Hormuzit, duke njoftuar se vetëm në dy ditët e fundit janë asgjësuar 54 mjete lundruese që tentonin të bllokonin rrugët tregtare.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 