20 nëntor 2026 – Polonia ka reaguar pas shkeljes së hapësirës së saj ajrore nga tre objekte, mes të cilave një raketë ruse, duke e cilësuar incidentin si një provokim nga Moska.
Kryeministri polak Donald Tusk deklaroi se ngjarja nuk duket të ketë qenë aksidentale, duke vënë në dukje se objektet ranë pranë zonës ku po zhvilloheshin stërvitje ushtarake të vendeve perëndimore.
“Nuk është rastësi që këto objekte ranë pranë zonës ku po zhvillohen manovrat ushtarake të ‘Koalicionit të të Gatshmëve’, të mbështetura nga trupat polake, në Nowa Dęba”, deklaroi Tusk para gazetarëve.
Ministri polak i Mbrojtjes, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz, e cilësoi shkeljen e hapësirës ajrore si një provokim nga Rusia dhe bëri të ditur se Varshava do t’i kërkojë NATO-s mbështetje shtesë.
Ndërkohë, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, dënoi shkeljet e hapësirës ajrore polake, duke i cilësuar ato si serioze. Ai konfirmoi gjithashtu se avionët luftarakë të aleancës ishin ngritur në ajër në përgjigje të incidentit.
“Ky incident është qartësisht i rrezikshëm dhe është pasojë e luftës që Rusia po vazhdon kundër Ukrainës”, deklaroi Rutte.
Reagimi i Varshavës vjen në një kohë kur në juglindje të Polonisë po zhvillohen stërvitje ushtarake të udhëhequra nga Britania e Madhe dhe Franca, me pjesëmarrjen e 11 vendeve të grupit “Koalicioni i të Gatshmëve”.
Nga ana tjetër, Rusia nuk ka reaguar ende lidhur me shkeljen e hapësirës ajrore polake.
Autoritetet polake bëjnë me dije se nga incidenti nuk ka persona të lënduar apo dëme materiale të raportuara.
/tvklan.al












Botërori 2026 
