Protesta anti-emigracion kanë shpërthyer në Belfast, Irlandë e Veriut, pas një sulmi me thikë që dyshohet se është kryer nga një refugjat sudanez, duke sjellë tensione në vend.
Qindra protestues, shumë prej tyre të maskuar, bllokuan rrugët dhe dogjën makina e ndërtesa të martën në mbrëmje, ndërsa banorët u evakuuan. Michelle O’Neill, kryeministrja e Irlandës së Veriut, i përshkroi trazirat si “të neveritshme”. “Racizmi, frikësimi dhe dhuna janë të gabuara kudo që ndodhin,” u shpreh ajo në X.
I dyshuari 30-vjeçar për sulmin me thikë, emri i të cilit nuk është bërë publik, është akuzuar për tentativë vrasjeje, posedim të një arme të ftohtë në publik dhe kërcënime për vrasje, pasi ai plagosi disa herë një burrë rreth të 40-ave në kokë dhe qafë të hënën.
Shefi i policisë së Irlandës së Veriut, Jon Boutcher, tha se i dyshuari kishte ardhur në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2023 përmes Parisit dhe Dublinit. Ministria e Brendshme e Mbretërisë së Bashkuar konfirmoi se ai ishte një refugjat sudanez me leje qëndrimi të ligjshme të vlefshme deri në vitin 2028.
Përshkallëzimi i fundit i dhunës vjen, ndërsa tensionet mbeten të larta në të gjithë Britaninë, me partitë populiste që akuzojnë politikat e azilit, se po lejohen të hyjnë në vend njerëz me rrezikshmëri.
Përleshje të dhunshme shpërthyen javën e kaluar në Southampton, në jug të Anglisë, mbi mënyrën sesi policia trajtoi vrasjen e një studenti. Të martën, dhjetëra demonstrues u mblodhën gjithashtu jashtë një hoteli që strehon azilkërkues, duke mbajtur pankarta me mbishkrime si “jo racizëm, vetëm patriotizëm” dhe “mjaft është mjaft”. Sulmet raciste janë në rritje në Irlandën e Veriut.
Emigracioni është bërë një çështje shumë e nxehtë në Britani dhe ka ndihmuar në ngritjen e partisë së djathtë Reform UK në zgjedhjet lokale të fundit. Trazira anti-emigracion ndodhën edhe vitin e kaluar në Irlandën e Veriut, në Ballymena, pas zemërimit mbi një sulm të dyshuar seksual, ku ishin përfshirë dy adoleshentë të përshkruar si me origjinë të huaj. Protestuesit shkatërruan shtëpitë ku jetojnë emigrantët.
Mbretëria e Bashkuar u trondit gjithashtu nga dhuna në korrik 2024 pas vrasjes së tre vajzave të vogla pranë Liverpool-it nga një 17-vjeçar britanik, bir i refugjatëve nga Ruanda – një ngjarje që atëherë çoi në trazira edhe në Irlandën e Veriut. Adoleshenti u deklarua fajtor për vrasje dhe u dënua me burgim të përjetshëm, me minimumi 52 vite.
Në nëntor të vitit të kaluar, Amnesty International e përshkroi periudhën 12-mujore si “një vit i turpshëm urrejtjeje” në Irlandën e Veriut. Shërbimet policore dokumentuan 2,048 incidente raciste dhe 1,280 krime urrejtjeje racore në atë periudhë, një nga nivelet më të larta të regjistruara që nga 2004.
Katër nga pesë nivelet më të larta mujore të incidenteve të urrejtjes racore u regjistruan midis qershorit dhe shtatorit 2025. “Pas çdo statistike tronditëse, ka një person ose familje reale që jeton me frikë,” tha Patrick Corrigan, drejtor i Amnesty International për Irlandën e Veriut.
Michael Kerr, profesor i studimeve të konfliktit në King’s College London, tha se megjithëse numri i protestuesve ka qenë relativisht i vogël, pasojat mund të jenë shumë serioze. “Një pakicë e vogël por e vendosur e së djathtës ekstreme mund të krijojë frikë shumë shpejt, veçanërisht kur synojnë komunitete që janë vetë të vogla, të cenueshme dhe tashmë të ekspozuara,” tha Kerr për Al Jazeera-n.
“Ky fakt i bën sulmet edhe më shqetësuese. Nuk është shprehje e një pakënaqësie të madhe demokratike; është frikësim racist i drejtuar ndaj njerëzve që kanë shumë pak fuqi.”
E djathta ekstreme ndez tensionet
Figura anti-imigracion, përfshirë liderin e Reform UK Nigel Farage dhe liderin e Restore Britain Rupert Loue, kanë kërkuar detaje mbi statusin e emigracionit të agresorit të së hënës. Gavin Robinson, lider i Partisë Unioni Demokratik, u bëri thirrje autoriteteve të frenojnë “emigracionin e pakontrolluar”. Boutcher tha se i dyshuari nuk kishte kryer më herët vepra të rënda penale.
Ndërsa policia u bëri thirrje njerëzve të mos shpërndanin videon e sulmit. Kjo, pasi shumë llogari në rrjetet sociale të lidhura me të ashtuquajturit “patriotët” po e shpërndanin videon, duke nxitur njerëzit të protestojnë kundër emigracionit masiv në komunitetet e tyre.
Billioneri amerikan Elon Musk ripostoi një postim të aktivistit anti-emigracion Tommy Robinson, duke thënë: “Vetëm duke protestuar PËRSËRI dhe ME ZË të LARTË do të ketë ndryshim!!”.
Javën e kaluar, sulmi me thikë në Southampton, u komentua nga zëvendëspresidenti amerikan JD Vance, i cili fajësoi “politikën e pushtimin masiv nga emigrantët” për dhunën. Zyrtarët britanikë thanë se agresori nuk ishte emigrant dhe akuzuan Vance se po përpiqej të “ndërhynte në demokracinë e brendshme britanike dhe të nxisë përçarje”.
Komuniteti Sikh ka raportuar episode abuzimi racor dhe verbal, pavarësisht se babai i viktimës, Mark Nouak, ka paralajmëruar që vdekja e djalit të tij të mos përdoret për të krijuar “ndarje, urrejtje ose tensione të mëtejshme”.
Ministrja e Drejtësisë e Irlandës së Veriut, Naomi Long, tha të mërkurën se ata që po kryejnë dhunë po “shfrytëzojnë dhimbjen, shqetësimin dhe zemërimin e vërtetë” të njerëzve dhe fajësoi nxitësit e së djathtës ekstreme në internet.
“Ka aktorë me qëllime të këqija në Mbretërinë e Bashkuar dhe më gjerë që ndoshta do ta kishin pasur të vështirë të gjenin Belfast-in në hartë dje… që po nxisin qëllimisht njerëzit të dalin në rrugë,” tha ajo për BBC Breakfast. “Ky është përkufizimi i racizmit”. Kështu, debate mbi emigracionin në Europë vijon të jetë “i nxehtë”.
/tvklan.al












Botërori 2026 
