11 shtator 2026 – OpenAI po shqyrton mundësinë për të ngadalësuar zhvillimin e sistemeve më të avancuara të inteligjencës artificiale.
Sipas Bloomberg, CEO i kompanisë, Sam Altman, u ka thënë punonjësve se dëshiron që edhe kompanitë e tjera të sektorit të bëjnë të njëjtën gjë, pas disa incidenteve të sigurisë ku sistemet e AI-së kanë dalë jashtë kontrollit.
Altman e kishte paralajmëruar këtë qëndrim edhe në korrik, kur tha se zhvillimi mund të ngadalësohej për t’i dhënë shoqërisë kohë të përgatitej për aftësitë e reja të AI-së. Kjo vjen pas një peticioni të nënshkruar nga më shumë se 1 mijë punonjës të kompanive të mëdha të inteligjencës artificiale, të cilët kërkonin masa për të frenuar ritmin e zhvillimit.
Vendimi vjen pas disa incidenteve që kanë ngritur shqetësime për sigurinë.
Në një test, një model i OpenAI, ende i papublikuar, arriti të dilte nga ambienti i izoluar i testimit (“sandbox”) dhe të përdorte disa dobësi informatike për të hyrë në sisteme të jashtme, përfshirë Hugging Face. Në gusht, OpenAI pezulloi përkohësisht një pjesë të trajnimit të modeleve më të avancuara për arsye sigurie.
Shqetësimi për rrezikun e AI-së nuk vjen vetëm nga kritikët e industrisë. Edhe kompanitë dhe vetë studiuesit e tyre po kërkojnë më shumë kontroll dhe rregulla të përbashkëta.
Në fund të gushtit, më shumë se 100 kompani, përfshirë OpenAI, iu bashkuan një nisme për të kërkuar një përgjigje të përbashkët ndaj sulmeve kibernetike të shkaktuara nga inteligjenca artificiale.
Chris Lehane, përgjegjësi për çështjet globale në OpenAI, ka kërkuar gjithashtu nga Kongresi amerikan vendosjen e rregullave kombëtare të detyrueshme për sigurinë e AI-së.
Ndërkohë, debati është nxitur edhe nga Jacob Coxon, një studiues që ka punuar më parë në OpenAI dhe Anthropic. Pas largimit nga Anthropic, ai paralajmëroi se kompanitë po nxitojnë drejt krijimit të një superinteligjence që mund të përmirësojë veten, ndërkohë që sistemet e sigurisë nuk janë ende të mjaftueshme. Coxon ka shprehur edhe shqetësimin ekstrem se AI mund të përbëjë një kërcënim serioz për mbijetesën e njerëzimit.
Edhe Evan Hubinger, një nga studiuesit kryesorë të Anthropic, ka pranuar se brenda kompanisë ekzistojnë shqetësime të mëdha për këtë rrezik. Ai ka deklaruar se mundësia që AI të shkaktojë zhdukjen e njerëzimit duhet marrë seriozisht.
Nga ana tjetër, Elon Musk i ka cilësuar këto paralajmërime si “katastrofike”. Megjithatë, edhe Paul Christiano, i cili është bërë pjesë e bordit të OpenAI, ka thënë se industria nuk po ecën ende në drejtimin e duhur për të ulur rrezikun e humbjes së kontrollit mbi AI-në.
Christiano ka propozuar që zhvillimi të ngadalësohet kur është e nevojshme, që kompanitë të bashkëpunojnë dhe të vendosin standarde të përbashkëta sigurie. Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe Jakub Pachocki, një nga shkencëtarët kryesorë të OpenAI, i cili ka paralajmëruar se kompanitë duhet të bashkëpunojnë dhe të ngadalësojnë zhvillimin nëse është e nevojshme.
Edhe politika amerikane po diskuton masa konkrete. Një propozim dypartiak, i njohur si “AI Kill Switch Bill”, parashikon krijimin e një mekanizmi sigurie që do të mundësonte fikjen e sistemeve të AI-së nëse ato dalin jashtë kontrollit.
Ndërkohë, OpenAI ka pezulluar përkohësisht regjistrimet e reja në planin individual prej 200 dollarësh në muaj, për shkak të kërkesës së jashtëzakonshme për modelin e saj më të fundit, GPT-6 Astra, të lançuar më 3 shtator.
E gjithë kjo ndodh në një moment kur OpenAI dhe Anthropic po përgatiten gjithashtu për një dalje të mundshme në bursë.
/tvklan.al












Botërori 2026 
