Superliga shqiptare ndryshon fytyrë, duke nisur nga sezoni i ardhshëm.

Pas tre sezoneve me fazën Final Four, Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së ka riorganizuar kampionatin, me synimin për të rritur konkurrencën. Nga sezoni 2026-2027, kampionati elitar shqiptar nuk do të ketë më fazën “Final Four”, e cila hiqet përfundimisht.

Skuadrat do të zhvillojnë tre faza të rregullta, me një total prej 27 javësh, dhe më pas do të ndahen në dy grupe. Gjashtë skuadrat e para të renditjes do të garojnë në fazën play-off, ku do të vendoset titulli kampion dhe pjesëmarrja në kompeticionet europiane. Ndërkohë, katër skuadrat e tjera do të luajnë në play-out, me objektiv mbijetesën në elitën e futbollit shqiptar.

Për sezonin 2026-2027 do të ketë vetëm një rënie direkte nga kategoria. Skuadra që do të përfundojë në vendin e dhjetë do të zbresë automatikisht në Kategorinë e Parë, ndërsa ekipi i vendit të nëntë do të luajë në fazën play-out për të siguruar qëndrimin në “Abissnet Superiore”. Pikët e grumbulluara gjatë fazës së rregullt do të përgjysmohen përpara nisjes së fazave finale. Në play-off, gjashtë skuadrat do të luajnë me sistem vajtje-ardhje për 10 javë, ndërsa në play-out katër ekipet do të zhvillojnë 9 javë garë.

Nga sezoni 2027-2028, “Superiorja” do të zgjerohet dhe do të përbëhet nga 12 skuadra.

Formati i ri do të nisë me dy faza të rregullta dhe 22 javë kampionat, përpara ndarjes së ekipeve në grupin e titullit dhe grupin e mbijetesës. Gjashtë skuadrat e para do të kalojnë në play-off për titullin kampion, ndërsa gjashtë të tjerat do të garojnë në play-out. Dy skuadrat e fundit të këtij grupi do të bien direkt në Kategorinë e Parë, ndërsa skuadra e renditur e treta nga fundi do të luajë një ndeshje shtesë për qëndrimin në elitë.

/tvklan.al