Sylvinho është shumë pranë rinovimit me Kombëtaren Shqiptare të Futbollit. Tv Klan mëson se së shpejti do të nënshkruhet edhe kontrata e re mes federatës dhe trajnerit. Akordi vjen si përfundim i bisedimeve mes palëve që prej mbylljes së Europianit për Shqipërinë.

Në një komunikim, tekniku Brazilian pranon se çdo gjë po shkon në drejtimin e duhur.

“Kemi folur dhe jemi pranë arritjes së një marrëveshjeje. Detyrimi ynë është të punojmë edhe më shumë për të arritur objektivin tonë, të gjithë sëbashku.”

Firma në letër do të vijë sapo të përfundojnë bisedimet e fundit që janë përcaktuese për vazhdimësinë.

Me gjasë FSHF i ka krijuar brazilianit, dhe ekipit të tij, kushtet e kërkuara për të vazhduar punën me objektivin e arritjes së kualifikimit të Shqipërisë në Botërorin e 2026 që do të zhvillohet në Meksikë, SHBA dhe Kanada.

Edhe vetë nga ana e Sylvinho është shprehur vullneti dhe detyrimi për të vijuar punën e nisur në fillim të vitit 2023, që kulmoi me kualifikimin në Europianin e Gjermanisë.

Nga drejtuesit e FSHF është vlerësuar fryma që ai ka sjellë në skuadër dhe mentalitetit që ka ushqyer tek lojtarët, duke bërë fushatën kualifikuese më të mirë në historinë e kombëtares, me kualifikimin si e para e grupit. Njoftimi për arritjen e marrëveshjes pritet të bëhet zyrtar këtë të mërkurë më 10 Korrik.  

Tv Klan