Për herë të parë, përfaqësues te qeverisë së re siriane dhe të Hezbollahut raportohet se kanë zhvilluar një takim sekret në Turqi.
Sipas burimeve të Reuters, takimi u zhvillua muajin e kaluar, me ndërmjetësimin dhe ftesën e agjencive turke të sigurisë dhe inteligjencës.
Në bisedime morën pjesë zyrtarë sirianë të inteligjencës dhe ministrisë së Jashtme, si dhe përfaqësues të Hezbollahut.
Në fokus ishte ulja e tensioneve mes Damaskut dhe grupit libanez, pas përmbysjes së regjimit të Bashar al-Assadit në fund të vitit 2024. Siria e re e ka akuzuar Hezbollahun për transferim armësh përmes territorit sirian.
Sipas burimeve, palët diskutuan çështjet e sigurisë dhe ranë dakord se nuk kanë armiqësi të drejjtpërdrejtë ndaj njëra-tjetrës.
Damasku i siguroi Hezbollahut se nuk do të ndërhynte ushtarakisht në Liban për ta çarmatosur, ndërsa kërkoi nga grupi të ndalonte kontrabandën e armëve përmes kufirit dhe të çmontonte celulat e mbetura në jug të Sirisë.
Burimet thonë se bisedimet shënuan përparim në çështjet e sigurisë, por nuk u arrit një marrëveshje përfundimtare. Irani, aleati kryesor i Hezbollahut, nuk mori pjesë drejtpërdrejt në takim.
Megjithatë, pas publikimit të raportimit, Presidenca turke e mohoi kategorikisht takimin, duke e cilësuar lajmin si “tërësisht të pabazuar”. Edhe qeveria siriane i quajti pretendimet të pavërteta.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
