Talenti shqiptar Adri Mehmeti ka marrë ftesën nga Kombëtarja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Pavarësisht se 17-vjeçari ishte një opsion edhe për Kombëtaren shqiptare, dëshira e tij për të përfaqësuar SHBA-në tashmë është konkretizuar, pasi ai është grumbulluar nga trajneri Mauricio Pochettino.
Mehmeti është përfshirë në listën me 28 futbollistë për katër miqësoret e radhës, ku tekniku argjentinas ka zgjedhur t’u besojë një numri të konsiderueshëm lojtarësh të rinj.
Me origjinë nga Saranda, Mehmeti ka lindur dhe është rritur në New York.
Ai ka qenë pjesë e ekipeve kombëtare të moshave të Shteteve të Bashkuara dhe tashmë ka bërë hapin drejt Kombëtares.
Më herët, 17-vjeçari ka luajtur edhe për Shqipërinë U-15, ku ka shënuar edhe një gol.
Federata Shqiptare e Futbollit ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me familjen e lojtarit, e cila ka qenë e pavendosur për zgjedhjen e përfaqësueses dhe, në fund, nuk ka dhënë një përgjigje pozitive për Shqipërinë.
Në nivel klubesh, Mehmeti luan me New York Red Bulls në MLS. Këtë sezon ai ka regjistruar një gol dhe tre asistime në 24 paraqitje, duke u konsideruar një prej talenteve të rinj me potencial në futbollin amerikan.
Ndeshja e parë për SHBA-në do të jetë kundër Perusë, më 26 shtator. Më pas, amerikanët do të përballen me Kilin, Meksikën dhe Kanadanë.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
