Pas një romance që nisi si një “telenovelë” me një byzylyk miqësie dhe një përpjekje të guximshme për të fituar zemrën e një superylli, Taylor Swift dhe Travis Kelce kurorëzuan dashurinë e tyre me fejesë.

Çifti i famshëm, që prej dy vitesh ka qenë në vëmendjen e publikut për lidhjen e tyre plot kimi, emocion dhe surpriza, zgjodhi një mënyrë të ëmbël dhe argëtuese për ta ndarë lajmin me botën: një postim të përbashkët në Instagram që ndezi rrjetet sociale dhe zemrat e fansave kudo nëpër botë.

Në postimin që shoqërohej me disa fotografi në një ambient të mbushur me lule, çifti 35-vjeçar shkroi me humor: “Mësuesja juaj e anglishtes dhe mësuesi i edukatës fizike po martohen .”

Swift dhe Kelce janë bashkë që nga korriku i vitit 2023, kur këngëtarja ndodhej në kulmin e turneut të saj botëror Eras. Pikërisht gjatë një ndalese në Kansas City, Kelce u përpoq t’i jepte Swift-it numrin e tij të telefonit përmes një byzylyku miqësie aksesor simbolik për fansat e turneut, por pa sukses.

Më pas, Kelce foli hapur për simpatinë ndaj Swift-it në podcastin e tij New Heights, të cilin e drejton me vëllain e tij, Jason Kelce.

“Ndjehem keq që ajo nuk flet para apo pas koncerteve, sepse duhet të kursejë zërin për 44 këngët që këndon,” tha ai në atë kohë. “Nëse je në dijeni të koncerteve të Taylor Swift, e di që ka byzylykë miqësie. Kisha marrë shumë të tillë, por doja t’i jepja asaj një me numrin tim.”

Pas këtyre deklaratave, çifti u vu në kontakt dhe nisën të takoheshin. Lidhja e tyre u bë publike në shtator 2023, kur Taylor Swift u shfaq në stadiumin Arrowhead për të ndjekur ndeshjen e Kansas City Chiefs kundër Chicago Bears, ku Kelce ishte një nga lojtarët kryesorë./tvklan.al