Korporata Elektroenergjetike Shqiptare pas situatës së krijuar si pasojë e pandemisë COVID-19, ka marrë të gjitha masat për të siguruar energjinë elektrike.

Administratori i KESH, Benet Beci, bën më dije se vijon pa ndërprerje prodhimi në 3 hidrocentralet e kaskadës së lumit Drin, ku është rritur numri i staft në 257 punonjës duke mbuluar 3 turnet gjatë 24 orëve.

Sipas informacioneve, 63 punonjës mbulojnë HEC-in e Fierzëz, 101 punonjës HEC-in Koman, 88 HEC-in e Vau të Dejës si dhe 5 punonjës në dispeçeri të ndarë sipas turneve.

Gjatë 24 orëve të fundit, KESH ka siguruar një prodhim ditor rreth 7.000 MWh/ditë. Të dhënat nga kjo koorporatë, tregojnë se rezerva energjetike është 889 GWh, ose 157 GWh më shumë se mesatarja shumëvjeçare dhe 325 GWh më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Niveli i ujit në Hidrocentralin e Fierzës është 284 metra, rreth 11 metra më shumë se një vit më parë.

Në zbatim edhe të rekomandimeve të Institutit të Shëndetit Publik dhe Ministrisë së Shëndetësisë, punonjësit e KESH janë pajisur me maska mbrojtëse, doreza dhe solucione për higjienën.  /tvklan.al